HomeSport

Champions League/ Liverpooli lë pas krizën, mposht 0-1 Interin në Milano! Tri pikë për Barçën e Bayern, Atalanta e Gjimshitit përmbys Chelsean

Champions League/ Liverpooli lë pas krizën, mposht 0-1 Interin në Milano! Tri pikë për Barçën e Bayern, Atalanta e Gjimshitit përmbys Chelsean

Kompeticioni më i rëndësishëm për klube, Champions League, zhvilloi këtë të martë nëntë ndeshjet e raundit të gjashtë. Bayern, Barça dhe Atalanta fituan me përmbysje, ndërsa Liverpooli siguroi tri pikë me vlerë kundër Interit në Milano.

Në ‘Giuseppe Meazza’, Interi u mposht 0-1 nga Liverpooli. Goli i Szoboszlai në minutën e 88-të nga penalltia i dha tri pikë shumë të rëndësishme të kuqve, që duket se lënë pas një krizë dhe përplasjesh në ekip. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Interin në Champions. Skuadrat kanë nga 12 pikë.

Bayern Munich është rikthyer te fitoret duke mposhtur Sporting Lisbonën 3-1 me përmbysje. Pas pjesës së parë pa gola, miqtë kaluan në epërsi me autogolin e Kimmich, por Gnabry, Karl dhe Tah shënuan për fitoren e bavarezëve. Me këtë fitore, Bayern ngjitet në vendin e dytë me 15 pikë, po aq sa Arsenali që ka një ndeshje më pak.

Në ‘Camp Nou’ Barcelona siguroi tri pikë jo pa vështirësi duke fituar 2-1 me përmbysje kundër Eintracht Frankfurt. Knauff kaloi gjermanët në epërsi në pjesën e parë, por Jules Kounde në minutat 50-të dhe 53 përmbysi ndeshjen dhe i dha tri pikë Barçës duke e ngjitur në kuotën e dhjetë pikëve.

Në Bergamo vendasit e Atalantës përmbysën 2-1 Chelsean duke marrë një fitore të madhe. Te Atalanta për 90 minuta luajti edhe Berat Gjimshiti në mbrojtje. Joao Pedro në minutën e 25-të shënoi për Chelsean, por Sccamaca dhe De Ketelaere përmbysën gjithçka në pjesën e dytë.

Këtë të martë tri pikë siguruan edhe Olympiacos, Tottenham, Marseille, Atletico Madrid dhe Monaco. Ra në sy se në nëntë përballjet e sotme nuk u regjistrua asnjë barazim.

Të mërkurën luhen nëntë ndeshjet e radhës, të cilët do përmbyllin raundin e gjashtë në fazën e ligës së Champions League.

Champions League, raundi i 6-të i fazës së ligës:

E martë, 09 dhjetor 2025

16:30

Kairat Almaty 0-1 Olympiacos

18:45

Bayern Munich 3-1 Sporting Lisbone

21:00

Atalanta 2-1 Chelsea

Barcelona 2-1 Eintracht Frankfurt

Inter 0-1 Liverpool

Monaco 1-0 Galatasaray

PSV 2-3 Atletico Madrid

Royale Union SG 2-3 Marseille

Tottenham 3-0 Slavia e Pragës