HomeAktualitetDebat

Çmimet janë rritur, por inflacioni në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në Europë në mars

Çmimet janë rritur, por inflacioni në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në Europë në mars

Ndonëse çmimet janë rritur me ritme të shpejta, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të mallrave të konsumit për një shportë mallrash, është ndër më të ulëtit në Europë.

INSTAT, raportoi se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2022 është 5,7 %, më i ulët sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 8%.

Inflacioni në shtetet e Europës është ndikuar ndjeshëm nga shtrenjtimi i energjisë dhe gazit, ndërsa në Shqipëri ndikimin kryesor në inflacion e luajnë çmimet e ushqimeve, për shkak të peshës së madhe që ato zënë në shpenzimet e një familjeje, me 42% të totalit, nga 13% që ëhstë mesatarja e vendeve të BE-së.

INSTAT raportoi se në vend rritja më e madhe e çmimeve prej 12,8 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,3 %, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,1 % secili, “Veshje dhe këpucë” me 2,0 %, “Komunikimi” me 1,8 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,9 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,2 %.

Në muajin Mars 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 2,4 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 6,2 %, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,9 %, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,8 %, “Shërbimi arsimor” me 0,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,5 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,2 %.

Në mars, inflacioni i matur nga INSTAT rezultoi po 5.7%. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002 dhe është shumë më i lartë se objektivi i shënjestruar prej 3% i Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit, që si përgjegjësi kryesore ka ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në një përpjekje për të frenuar inflacionin, pak ditë më parë vendosi rritjen e normës bazë për herë të parë në një dekadë, duke e çuar në 1%, nga niveli minimal historik prej 0.5% që ishte deri tani./Monitor/