Ka vijuar sot, 13 janar, gjyqi në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, për dosjen “Buka”, ku akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në seancë, siç raporton gazetarja Glidona Daci, pati debate mes avokatit mbrojtës të Ahmetajt dhe prokurorit të SPAK.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe të dëmtuarit nga vepra penale, anëtarët e familjes Myderizi. Avokati i Arben Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti kërkesa për marrjen e provave në lidhje me çështjen e “Buka sh.a.”
Ai deklaroi se ishte i autorizuar nga Ahmetaj për të bërë me dije se ish-zyrtari i lartë nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe e konsideron atë si politike.
Mbrojtja kërkoi që Arben Ahmetaj të pyetet përmes video-konferencës, të administrohen prova shkresore, të pyeten ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin teknik dhe kontabël, si dhe të merren në pyetje si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Po ashtu, u kërkua lejimi i provave dokumentare dhe administrimi i të gjitha akteve juridike që lidhen me “Buka sh.a.” dhe subjekte të tjera.
Gjykata i kërkoi prokurorit të SPAK të shpjegojë se cilat janë veprimet dhe mosveprimet konkrete që i atribuohen Arben Ahmetajt në kuadër të akuzës për shpërdorim detyre.
Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, deklaroi se në dosje janë depozituar vendime gjykatash që i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi. Sipas tij, Arben Ahmetaj ka vepruar përmes një urdhri ku ka caktuar vetë dy ekspertë, ndërsa akt-ekspertimi i kryer prej tyre përmban kontradikta. Gokaj theksoi se më herët ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima nuk e kanë privatizuar këtë pronë, ndërsa Ahmetaj ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka fuqi ligjore.
Përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, u shpreh se mbrojtja po përpiqet të ngatërrojë çështjen. Sipas tij, bëhet fjalë për një shkelje të pastër të detyrës nga ana e Ahmetajt. Ai theksoi se familja Myderizi ka fituar gjyqin ndaj Ministrisë së Ekonomisë me vendim të formës së prerë dhe ka kundërshtuar mënyrën e llogaritjes së aksioneve të pronarëve.
Vetëm nje gjë ështe matanë absurdes; Cfarë pune ka prokurori me vendimet e gjykatës në favor të familjes Myderizi kur kjo familje ka avokatët e saj. A është prokuror palë në mbrojtjen e shtetit apo SPAK përveç mbrojtjes së tender humbësave tani po bën avokati edhe për pronat, që dyshohet se ka përfituar ai që ata përfaqësojnë…shteti
“Sipërfaqja e tokës na është llogaritur me 8 mijë lekë të vjetra për metër katror, ndërkohë që vlera e tregut është rreth 1 mijë euro. Na dhanë vetëm 80 milionë lekë të vjetra. U bënë manovra për t’i hapur rrugë vjedhjes. Ahmetaj bëri atë që nuk e bëri asnjë ministër tjetër, edhe pse të tjerë e kanë tentuar. Kjo është një vjedhje absurde. Prej 30 vitesh kërkojmë pronën tonë në mënyrë të rregullt, fitojmë gjyqet dhe sot e kësaj dite nuk jemi aksionerë”, është shprehur Myderizi.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shprehet dhe të shqyrtojë kërkesat për prova dhe dëshmitarë të paraqitura nga mbrojtja e Arben Ahmetajt.

