HomeAktualitetKronike

Dado nga “kuzhinier u bë pilot”! Veliaj: Jam i vetmi njeri i arrestuar nga dikush që nuk ekziston

Dado nga “kuzhinier u bë pilot”! Veliaj: Jam i vetmi njeri i arrestuar nga dikush që nuk ekziston

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e mbajtur në seancën e Gjykatës Administrative, është shprehur se procesi i ngritur ndaj tij është një intrigë dhe se ai është i vetmi njeri i arrestuar nga dikush që nuk ekziston.

“Veç në rastin tim ka një kallëzim fake. Unë jam kallëzuar për inceneratorët. Fitova gjyqin për shpifje për një italian dhe doli se ka gënjyer për inceneratorët. Kam frikë se është një kurth ky proces i imi. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj, 101 çerdhet që ndërtoi apo pemët apo shkollët? Nesti Angoni të kallëzon dhe regjistrohet çështja pas 7 muajsh dhe jo pas dy javësh siç është afati. Ka diçka që nuk shkon. Është dora e një njeriu që ka marrë porosi.

U shty dhe një vit tjetër regjistrimi i emrit Erion Veliaj. Më është bërë një vetting 20-vjeçar i imi. Edhe kur kam qenë i mjafti dhe më thotë në vitin 2004 me kë kam qenë me charter. Mund të kem qenë dhe me Bin Ladenin. Por ku e di unë kush është, aty ka qenë avion turistik”.

Veliaj ka thënë në seancë se Tirana tashmë nuk është pastruar më e se askush nuk firmos në bashki vendime, pas izolimit të tij me firmë të prokurorit të SPAK, Ols Dado.

“Ky është Ols Dado. Pra, kuzhinieri është bërë pilot. Sot nuk firmos më njeri në bashkinë e Tiranës se thonë kur një njeri që punonte edhe të dielën është në burg, pse të firmosim. Nuk është hapur asnjë kopësht. Kanë ngelur. Edhe plehrat janë rrugëve. Buxheti u dogj se nuk firmos më njeri, nuk firmoset më projekti për drekën e fëmijëve në shkolla”, ka thënë ai.