Në 9 prill kolegjet e bashkuara vendosin nëse do ti orientojnë gjyqtarët e shkallëve më të ulëta, nëse do të jenë apo jo të jenë të detyruar për të shpjeguar jo vetëm përse vendosën arrest në burg dhe gjithashtu argumentojnë se përse nuk shpallën masë më të lehtë.
Për shumë të paraburgosur kjo do të thotë një shpresë e re, që ju hap dritën për të kërkuar masa më të lehta se arresti në burg, duke u bazuar në mungesën e rrezikshmërisë dhe të pamundësisë për helmim provash.
Por për kohën kur është hapur ky debat publik, juristët kanë rezervat e tyre. Kritikët e shohin hapjen e diskutimeve për orientim drejt masave të tjera dhe jo vetëm drejt arrestit në burg, si një lëvizje e vonuar që ka një qëllim tjetër.
“Bëhet në një periudhë kur në Gjykatën e Posaçme dhe në Prokurorinë e Posaçme ka shumë procedime penale, zyrtarë të lartë dhe të mesëm që kanë të bëjnë kryesisht me shkeljen e barazisë në tendera, korrupsion pasive, kryesisht krime që i ka sjellë dëme financiare buxhetit të shtetit. Është një mënyrë për të lehtësuar këta persona, duke pasur edhe frikën që morën masën arrest me burg mund të bëhet bashkëpunëtorë të drejtësisë”, u shpreh avokati Alban Qafa.
Optimistët e vlerësojnë si një hap që e shtyn prokurorinë dhe gjykatën të reflektojnë, që të mos kërkojnë vetëm arrest në burg.
“Realisht burgjet mbushen më shumë me vepra të lehta sesa të rënda. Kur jep arrest me burg duhet të shohësh rëndësinë e veprës”, u shpreh avokati Sokol Tahiraj.
Shifrat zyrtare tregojnë se për momentin nga 4463 të burgosur shumica, pra 2485 shtetas janë të paraburgosur.

