HomeAktualitetDosja X

DESHMIA/ Luftëtari i UÇK-së: Basha ishte prezent gjatë arrestimit tim nga UNMIK! Bënte përkthyesin, por sillej si të ishte polic serb Gruaja njohu edhe çikën e Berishës

DESHMIA/ Luftëtari i UÇK-së: Basha ishte prezent gjatë arrestimit tim nga UNMIK! Bënte përkthyesin, por sillej si të ishte polic serb Gruaja njohu edhe çikën e Berishës

Kaseta e Milaim Bellanicës me fakte nga masakra e Krushës së Madhe, po del të mos jetë dëshmia e vetme e “humbur”.

Në një rrëfim për Top Channel, ish-komandanti i UÇK-së për zonën operative të Llapit, Latif Gashi, tregon se gjatë arrestimit nga UNMIK në janar të vitit 2002, i ishte marrë si provë edhe ditari i tij nga lufta, e që i ishte zhdukur dhe nuk ishte proceduar asnjëherë si provë materiale.

Për këtë, 11 vjet pas, EULEX dhe Prokuroria Speciale ishin vënë në kërkim të gjetjes së ditarit nga dosja e Gashit, por si përfundim ishte konstatuar “i humbur me gjasa gjatë periudhës, kur UNMIK ka udhëhequr këtë rast”.

“Unë jam akuzu në një vend të caktum, për kinse krime.

Ditari im e ka përshkru gjendjen reale faktike të ndodhur në kohë, dhe ai ditar ka e përgënjeshtruar akuzën plotësisht.

Nuk i ka interesuar drejtësisë ndërkombëtare dhe e kanë zhduk”, shprehet Latif Gashi, ish-komandant i UÇK-së në zonën operative të Llapit.

Gashi thotë se në arrestimin dhe bastisjen e shtëpisë dhe zyrës së tij, i pranishëm ishte edhe Lulzim Basha, të cilin e kishte identifikuar bashkëshortja e tij dhe ishte ankuar për sjellje arrogante.

“Atë si duket e kanë tradhtu vetullat e tij dhe syt e tij karakteristik, dhe flokët e tij, edhe zëri i tij.

Ai ka qenë prezent te gjykatësi dhe kur kanë shku familja ime për të marrë leje për vizitë, ai i ka prit aty dhe ka përkthy aty.

Dhe familja ime e ka idenfikue.

Po flas gjithëherë me dëshminë e grus time, që ma ka thanë atëherë.

Kur ka ardh në vizitën e pare, iu drejtu gruas dhe familjes time: Ku i ke kalamajtë?.

Dhe gruaja i ka thanë: Ç’të duhen kalamajtë e mi?

Ai edhe sjelljet tjera jo humane, jo me lujt rolin e përkthyesit, po ka lujt rolin e një polici, sikurse përpara që na kanë hy policët serb.

Edhe aty nuk ka qenë veç Lulzim Basha, po ka qenë edhe qika e Sali Berishës, Argita Berisha a qysh e ka emrin ajo vajza e tij.

Edhe ajo ka qenë me maskë”, rrëfehet Latif Gashi.

Ai kërkon nga Basha, që të paktën të tregojë nëse e ka përkthyer ditarin dhe nëse di se ku mund të jetë.

Përveç gjykimit nga Prokuroria Speciale për krime lufte, Gashi është ftuar sërish në intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Intervistimi i tij është bërë në gusht të këtij viti.