Në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike me partitë e opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile, foli dhe humoristi Florian Binaj..
Sipas Binajt, gjatë gjithë këtyre viteve është humbur kohë duke u fokusuar te dallimet dhe jo te ngjashmëritë mes aktorëve politikë dhe se nuk është bërë mjaftueshëm.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi harxhuar kohë duke parë nga njëri-tjetri jo ku ngjajmë, por ku dallojmë. Në këtë kohë që ka ardhur, mendoj se gjëja më e rëndësishme për të bërë është që për ta pranuar njëri-tjetrin ashti siç jemi, të ndryshëm dhe të mos presim nga njëri-tjetri që ‘unë do bashkëpunoj me ty po more ti formën time ose unë formën tënde e t të tjera’”, theksoi ai.
Ai nënvizoi se përplasjet kanë qenë të tepërta dhe se situata ku Shqipëria ndodhet, kërkon marrëveshje.
“Jemi marrë mjaftueshëm nëpër këmbë, jemi sharë mjaftueshëm nëpër gojë, jemi marrë mjaftueshëm nëpërsysh, tani o duhet të merremi vesh, ose nuk duhet të qahemi pastaj nëse do na marrim më qaf”, tha Binaj.
Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi pjesëmarrësit dhe u largua nga tryeza, duke thënë: “Më falni që po iki, por më duhet të marr fëmijët nga shkolla.”

