HomeBota

“Do të shkoj në Rusi të premten”?! Donald Trump harron që Alaska është në SHBA

“Do të shkoj në Rusi të premten”?! Donald Trump harron që Alaska është në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump duket se e ngatërroi Rusinë me Alaskën përpara takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin.

Kjo, ndërsa mbajti një konferencë për shtyp duke folur për krimin në Washington, DC dhe planet e tij për të vendosur Gardën Kombëtare dhe për të vënë policinë e qytetit nën kontrollin e tij.

Trump mbajti një konferencë për shtyp me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, ku ai kritikoi nivelin e krimit në Washington, DC.

“Kjo është një emergjencë tragjike dhe është e turpshme për mua të jem këtu lart”, u tha Trump gazetarëve. “E dini, do të takoj Putinin. Do të shkoj në Rusi të premten. Nuk më pëlqen të jem këtu lart, duke folur për sa i pasigurt dhe sa i ndyrë dhe i neveritshëm ishte ky kryeqytet dikur i bukur”.

Por Trump nuk do të shkojë në Rusi, por në Alaska për t’u takuar me Putinin.

Trump do të takohet me Putinin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë që Rusia e nisi kur goditi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.

“Takimi shumë i pritur midis meje, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Presidentit Vladimir Putin të Rusisë, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në Shtetin e Madh të Alaskës”, tha Trump javën e kaluar në Truth Social.

Takimi do të jetë i pari midis një presidenti amerikan dhe Putinit që nga viti 2021, kur Joe Biden u takua me Putinin në Zvicër.