HomeAktualitetDebat

Dorëzohet Dumani, arkivohet “dosja” më e nxehtë në SPAK, ajo e zyrës

Dorëzohet Dumani, arkivohet “dosja” më e nxehtë në SPAK, ajo e zyrës

Në SPAK u hap një “dosje” e pazakontë, pa hetime, pa prova dhe pa emra të mëdhenj në krye, dosja e zyrës. Një konflikt i brendshëm, i thjeshtë në letër dhe i rëndë në simbolikë, që pas ndryshimit të drejtimit nxori në pah jo se kush firmos, por se kush rri ku.

Pas zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, z. Klodian Braho, rregulli administrativ ishte i qartë: zyra që mbante z. Braho para zgjedhjes i kalon z. Altin Dumani, ndërsa zyra e drejtuesit, ku deri atëherë qëndronte z. Dumani, i kalon drejtuesit të ri. Një rotacion normal: funksioni lëviz, zyra lëviz.

Por, sipas burimeve pranë SPAK, ky rotacion fillimisht nuk u pranua nga z. Dumani. Thuhet se ai refuzoi të marrë zyrën e mëparshme të z. Braho dhe kërkoi një zyrë tjetër, konkretisht në zonën ku ndodhen zyrat e drejtuesve, korridori i “shefave”. Pra, jo problem hapësire, por problem vendndodhjeje. Jo metra katrorë, por metra ndikimi.

Në të njëjtën linjë raportimesh, dy janë arsyet që përmenden e para, zyra e mëparshme e z. Braho ndodhet pranë disa prokurorëve me të cilët z. Dumani thuhet se ka pasur mosmarrëveshje; dhe pikërisht Arben Kraja, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Dhe arsyeja e dytë është qëndrimi pranë zyrave të drejtuesve shihet si një mënyrë për të ruajtur dukshmërinë dhe aksesin, sidomos në takime e vizita me delegacione ndërkombëtare. Me pak fjalë, ideja e “të qenit afër” duhej të mbetej pjesë e realitetit, edhe kur hierarkia kishte ndryshuar.

Por ky kapitull, sipas të njëjtave burime, ka marrë fund ditën e sotme.Dorëzohet Dumani.Pas rezistencës dhe kërkesave për një zgjidhje tjetër, ai në fund pranon të marrë zyrën e mëparshme të z. Klodian Brahos, duke u kthyer te formula që institucionet zakonisht e kanë të panegociueshme, zyra ndjek funksionin.

Kështu mbyllet një episod që, pavarësisht se mund të duket i vogël, flet shumë për simbolikën e pushtetit. Sepse kur një institucion që kërkon standarde për të tjerët hyn në debat për privilegje të brendshme, problemi nuk është vetëm dera ku vendoset emri, por mesazhi që del jashtë: a funksionon rregulli, apo negociohet sipas personit?

Për momentin, mesazhi është i qartë dorëzohet Dumani, dhe “dosja” e zyrës arkivohet. Në SPAK, të paktën kësaj here, dera ndërrohet sipas postit.