Për ish-drejtorin e kompanisë shtetërore “Albpetrol”, Endri Puka, ekziston një dosje e mbushur me prova për korrupsion me tenderë, paga fiktive për persona të regjistruar si punonjës, kontrata të paligjshme me kompani private dhe falsifikim e zhdukje të ardhurash.
Katër prova të rënda korrupsioni dhe vjedhjesh
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportet e tij për “Albpetrol”, ka konstatuar se gjatë pesë viteve të drejtimit nga Endri Puka janë vjedhur rreth 150 milionë euro, përmes tenderëve abuzivë, pagesave direkte pa prokurim dhe fshehjes së të ardhurave reale të kompanisë.
Janë identifikuar 113 procedura tenderimi, kontrata fiktive dhe lejim i kompanive private për të shfrytëzuar puse nafte në Fier, Patos, Vlorë dhe Delvinë, jashtë kushteve kontraktuale ose pa kontrata fare.
Emri i Endri Pukës del në dosjen hetimore “Bankers”, ku në një rast konkret ka përfituar 1.4 milionë euro ryshfet nga kompania “Bankers”, për një kontratë fiktive me vlerë 20 milionë euro.
Kompania “Anio Oil & Gas Sh.p.k” e Alban Pezës, ku ortake rezulton edhe Ela Puka, bashkëshortja e Endri Pukës, ka shkaktuar një dëm prej 27 milionë euro, përmes mospagimit të detyrimeve dhe fshehjes së të ardhurave nga shfrytëzimi i puseve të naftës.
35 milionë euro të fshehura në Qipro
Përveç përfshirjes në dosjen “Bankers”, Endri Puka është i skeduar për pastrim parash, përmes investimeve në ndërtim dhe hoteleri, si dhe për transferimin dhe fshehjen e 35 milionë eurove në Qipro, përmes transportit fizik të parave dhe përdorimit të llogarive bankare dhe jo bankare të tipit “gri”.
Këto transferta janë gjurmuar dhe raportuar nga SHISH, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, mbi bazën e hetimeve të tyre dhe raportit të dërguar nga agjencia europiane MONEYVAL.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Pamfleti”, Endri Puka i ka transferuar 35 milionë euro në Qipro përmes vjehrrit greko-qipriot Konstantinos Moula, bashkëpunëtor i tij në aferat e naftës gjatë kohës që Puka drejtonte “Albpetrol”.

Nga dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se Konstantinos Christoforos Moula, i lindur më 6 dhjetor 1950, dhe e bija Ela Kostandin Puka, e lindur më 19 shtator 1982, bashkëshortja e Endri Pukës, kanë qenë ortakë në kompaninë “Oxi International” dhe në resortin “Azar Luxury Hotel” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, me vlerë investimi rreth 25 milionë euro. Më 28 gusht 2025, Moula ia ka shitur pjesën e tij Ela Pukës për vetëm 100 mijë lekë.
Konstantinos Moula, përmes të cilit janë transferuar paratë në Qipro, rezulton tregtar karburantesh që ka punuar me kompanitë kontraktore të “Albpetrol” dhe “Bankers” në vitet 2013–2018, periudhë kur Endri Puka ishte drejtor.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, Endri Puka ka miratuar pasqyra financiare fiktive me vlerë 95 milionë euro në favor të kompanisë “Bankers”, përfshirë kontrata të ndërmjetme me TVSH, shpenzime të rreme dhe transaksione shitblerjeje që nuk janë kryer kurrë realisht./Pamfleti

