Në Bruksel u zhvillua sot, 3 mars, mbledhja e 17-të e Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, një nga forumet më të rëndësishme të dialogut institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Mbledhja u drejtua nga Zëvendësministri i Drejtësisë dhe negociatori për Kapitullin 23, Tedi Dobi.
Në përbërje të delegacionit shqiptar ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të pavarura, si: Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit.
Gjithashtu edhe institucione përgjegjëse në fushën e medias e informacionit si Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) dhe Agjencia për Media dhe Informim (MIA).
Pjesëmarrëse ishin edhe institucione që përfshijnë pronën si Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si dhe institucione të tjera të administrimit publik.
Gjatë takimit u paraqitën zhvillimet më të fundit në kuadër të përmbushjes së piketave të ndërmjetme, me theks të veçantë në konsolidimin e reformës në drejtësi, funksionimin e plotë dhe efektiv të gjyqësorit, forcimin e mekanizmave antikorrupsion dhe rritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, garantimit të pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, si dhe përmirësimit të politikave në fushën e migracionit, azilit dhe menaxhimit të kufijve, në përputhje me standardet e acquis të Bashkimit Europian dhe kërkesat e planit Shengen.
Mbledhja e 17-të e Nënkomitetit konfirmon angazhimin e qëndrueshëm institucional të Shqipërisë për përparimin e reformave kyçe dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave, duke forcuar më tej partneritetin strategjik me institucionet europiane.
Nënkomiteti shërben si platformë vlerësimi dhe raportimi mbi progresin e arritur në Kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), duke adresuar në mënyrë të detajuar reformat strukturore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e standardeve europiane.

