HomeBlog

Duke u përgjëruar në kilometrin e fundit si Stalini i opozitës

Duke u përgjëruar në kilometrin e fundit si Stalini i opozitës

Nga Mero Baze

Në fillim të kilometrit të fundit si opozitar, sot Sali Berisha rimori një tezë të vjetër të avokat Ngjelës të viteve 2000, kur ne miqtë e tij e ofruam tek Berisha duke qenë një kritik dhe shpotiës i madh i tij. I zënë ngushtë për të shkuarën antiberishiane, avokati e kaloi lehtë provimin.

– Për qëllime të mëdha Çërçilli është takuar dhe me Stalinin, tha. Dhe e kishte fjalën që Stalini ishte Berisha.

Sot Berisha e rimori këtë batutë të avokatit kur pa bulevardin bosh dhe kur kuptoi sa po i kushton përçarja që i ka shkaktuar ai PD-së.

Tani avokatit i shkon kjo batutë edhe për shkak të ekstravagancës së tij. Kur Berisha bën thirrje të imitojmë bashkëpunimin e Roosevelt me Stalinin, të gjithë e dimë që Stalini është Berisha. Është “non grata” nga Roosevelti i sotëm i SHBA-së, dhe ata që ka zbuar nga partia dhe po u kërkon t’i bashkohen janë me SHBA-në.

Pra është thjesht duke u përgjëruar si Stalini i opozitës ndaj atyre që i ka zbuar vetë si Stalini.

Problemi është se Stalini kishte një farë dinjiteti në Jaltë, pasi ai nuk i thirri, por e thirrën dy udhëheqësit perëndimorë, Çërçilli dhe Roosevelti. E thirrën si fuqi e madhe e konsiderueshme si faktor kryesor në mundjen e fashizmit.

Berisha është i padobishëm për të gjithë. Mbi të gjitha për opozitarët. Ai i bën ata më të vegjël duke u bashkuar me të, ndaj nuk i duhet askujt.

Thjesht po i del profecia që këto protesta janë kilometri i fundit i tij, jo i kundërshtarëve të tij. Dhe s’ka më gjatë se kilometri i fundit. Do torturohet.