SPAK i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë zyrtare për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes dhe ministres Belinda Balluku këtë martë.Në dokumentin drejtuar Kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve, SPAK bën me dije se kërkon zëvendësimin e masave aktuale të sigurimit personal, “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, me masën më të rëndë të sigurimit, arrest në burg ose arrest shtëpie.
Kërkesa
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit,
TIRANË
TIRANË
Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi,
parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025.


