HomeKronikeDiaspora

Emrat e dy ish-presidentëve të Kosovës dolën te dosja “Epstein”, reagojnë Pacolli dhe Jahjaga!

Emrat e dy ish-presidentëve të Kosovës dolën te dosja “Epstein”, reagojnë Pacolli dhe Jahjaga!

Në dokumentet e radhës të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-së për Jeffrey Epstein, përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Por të dy e kanë mohuar ta kenë njohur ose takuar Epsteinin.

Dy ish-presidentë të Kosovës përmenden në dosjet e fundit të publikuara të financierit të ndjerë amerikan Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për përfshirje në trafikim dhe abuzim seksual të vajzave të mitura.

Departamenti i Drejtësisë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara në fund të janarit publikoi mbi 3 milionë dokumente të Epstein, mes tyre përmenden edhe ish-presidentët Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Valentina Abazi, këshilltare e Jahjagës është përgjigjur në emër të ish-presidentes dhe ka mohuar të ketë pasur takim mes Epsteinit dhe Jahjagës.

“Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është”, ka thënë Abazi për Kohën.

Një e-mail tjetër i dërguar nga Daniel Siad në adresë të Epsteinit mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?”, e në të është i bashkëngjitur edhe një link i një videoje në Youtube, i cili tani nuk hapet.

Në këtë e-mail shkruan “Përshëndetje Jeffrey, princesha do të donte që ti ta shihje këtë video”.

Koha e ka pyetur edhe Pacollin se a e ka njohur Epsteinin, a është takuar me të dhe a ka vizituar ndonjëherë ishullin e tij.

Por Pacolli ka mohuar të ketë dëgjuar për të.

“Asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani (kur përflitet për të v.j.) dëgjoj për ekzistencën e tij”, ka thënë Pacolli./Koha