Është folur këto kohë shumë për rastin e Jeffrey Epstein, i cili nuk është thjesht hisotria e një abuzuesi, por është simptomë e një rendi botëror, ku elita, pushteti, paratë dhe prestigji kanë krijuar një boshllëk të thellë moral, gjë që i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e normalitetit.
Është e qartë se skandali ‘Epstein’ e vendos elitën perëndimore përballë një pasqyre të shëmtuar, pa kufijë etikë dhe në normalizim të perversitetit.
Pak histori: Si nisi e gjithë kjo?
Epstein u pranua për vite me radhë në rrethe politike, financiare dhe akademike, edhe pasi ishte dënuar në vitin 2008.
Siç raporton ‘Reuters’, ai ruajti lidhje me politikanë, drejtues biznesesh dhe figura të tjera të njohura edhe pas këtij dënimi, një fakt që nuk provon kriminalitet kolektiv, por ekspozon një kulturë tolerance elitare, ku aksesi social shpesh vlen më shumë se karakteri.
Një nga çështjet më të errëta të dosjes ‘Epstein’ mbetet marrëveshja e mosndjekjes penale në Florida. Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, përmes Zyrës së Përgjegjësisë Profesionale, u konstatuan “gjykim i dobët” dhe mangësi serioze në trajtimin e kësaj marrëveshjeje, e cila i kurseu Epstein ndjekjen federale pavarësisht akuzave shumë të rënda.
Ky detaj është i pari që tregon tolerancë dhe rënie të shtetit ligjor, gjë që nuk do të aplikohej kurrë për një qytetar të zakonshëm.
Mirëpo, fakt është se vetëm në vitin 2019 Epstein u arrestua nga autoritetet federale në New York dhe, siç thuhet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit Federal për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, ai dyshohet se ka shfrytëzuar dhe abuzuar seksualisht dhjetëra vajza të mitura në rezidencat e tij, përmes një skeme të organizuar rekrutimi dhe shfrytëzimi.
Pra, vonesa më shumë se njëdekadëshe nuk është thjesht dështim procedural, por është përkthyer në viktima të tjera, jetë të shkatërruara dhe dështim i një sistemi që nuk ka reaguar në kohë.
Filantropia si pastrim imazhi
Shumë pyesin se si ka arritur dhe pse është toleruar, mirëpo një ndër elementet kryesore të mekanizmit të Epstein që pak është përmendur, është pikërisht përdorimi i filantropisë si pastrim reputacioni dhe imazhi. Siç raporton ‘Financial Times’, ai ka dhuruar fonde për universitete dhe ka kultivuar marrëdhënie me akademikë, pavarësisht shqetësimeve të njohura për të kaluarën e tij.
Pra, kemi të bëjmë me një problem të qenësishëm të elitës perëndimore, e cila ka zëvendësuar paratë me etikën, ndërkohë që institucionet kulturore dhe akademike rrezikojnë të jenë bashkëfajotre morale, duke mbyllur sytë dhe duke pranuar perversitete të tilla.
Vrasje apo vetëvrasje?
Vdekja e Epstein në paraburgim në gusht 2019 u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje. Sipas raportit të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, u konstatuan dështime serioze në Byronë Federale të Burgjeve, ndërkohë që u konfirmua përfundimi i mjekësisë ligjore.
Këto dështime institucionale ushqyen mosbesimin publik dhe krijuan terren për teori konspirative, jo si shkak parësor, por si pasojë e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.
Çfarë po ndodh pas vdekjes?
Ndërkohë që edhe pas vdekjes së Epstein, publikimi i dokumenteve gjyqësore po shoqërohet me redaktime të shumta, duke mos u treguar e gjithë e vërteta. Siç raporton ‘Associated Press’, qeveria amerikane pranoi se po korrigjonte redaktime që mund të kishin përfshirë gabimisht informacion për viktimat.
Çfarë tregon rasti për elitat globale?
Në fakt, rasti Epstein nuk thotë se elitat globale janë homogjene dhe kolektivisht të kriminalizuara, por tregon se kjo elitë është lehtësisht e rrezikuar dhe e ekspozuar ndaj rrëshqitjeve në perversitet.
Pavarësisht kësaj, duhet thënë se ky skandal është një akt-akuzë morale ndaj kësaj elite dhe një alarm për demokracitë liberale, sepse pa etikë pushteti rrëshqet në perversitet, ndërsa pa llogaridhënie dhe tolerancë, elitat humbin legjitimitetin në sytë e publikut/nl/TemA

