HomeAktualitet

Europianët zgjedhin Shqipërinë për festat e dhjetorit/ Tur‑operatorët: Ndikojnë çmimet e ulëta dhe linjat direkte

Europianët zgjedhin Shqipërinë për festat e dhjetorit/ Tur‑operatorët: Ndikojnë çmimet e ulëta dhe linjat direkte

Interesi i të huajve për Shqipërinë po rritet nga viti në vit. Operatorët turistikë thonë se, krahas sezonit veror, Shqipëria po tërheq vizitorë edhe në stinën e dimrit. Europianët janë ata që kanë shfaqur më shumë interes për të vizituar vendin tonë në këtë fundvit.

“Për fundvit vijnë nga tregjet që kemi më afër, Italia dhe Greqia; gjithashtu nuk ngelet pas Gjermania dhe Polonia. Ne po shohim që është rritur shumë interesi i të huajve për Shqipërinë, madje edhe nga vende si Qipro, Malta dhe vende të tjera që janë kurioze për të vizituar Shqipërinë”, thotë Fjorida Zani, operatore turistike.

Çmimet e lira dhe biletat low‑cost me linja direkte janë dy prej treguesve që po ndihmojnë në tërheqjen e turistëve të huaj.

“Kjo për shkak të linjave direkte, por edhe të çmimeve që janë konkurruese. Të rinjtë e huaj janë ata që kryesojnë në tregun turistik shqiptar”, shprehet Zani.

Krahas kryeqytetit, qytetet me trashëgimi kulturore dhe historike mbeten destinacionet kryesore.

“Tirana kryeson pasi është një qytet shumë i gjallë; qytetet e UNESCO‑s mbeten kryesore për t’u vizituar, gjithashtu edhe Kruja”, shton ajo.

Rritja e numrit të vizitorëve të huaj gjatë gjithë vitit është një tregues pozitiv për ekonominë dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri. Për këtë arsye, operatorët turistikë kërkojnë të tregohet më shumë vëmendje ndaj këtij sektori.