HomeSport

Florian Marku shkëlqen edhe në Ferizaj, fitore me nokaut ndaj rivalit rumun

Florian Marku shkëlqen edhe në Ferizaj, fitore me nokaut ndaj rivalit rumun

Ai është i pathyeshëm, shumë i fortë dhe i shpejtë si rrufe. Sot në mbrëmje regjistroi një tjetër sukses të rëndësishëm në ring. Nga Tirana në Ferizaj, fituesi mbetet i njëjtë: Florian Marku, luftëtari kuqezi që arriti të mposhtë dhe rumunin Ioan Vranceanu, që u dorëzua në raundin e dytë, duke mos përballuar dot furinë e goditjeve të Markut, që konfirmoi ambiciet e tij për të arritur shumë në MMA.

Nuk kishte sit ë ndodhte ndryshe, me një mbështetje maksimale edhe në pallatin e sportit “Bill Clinton” të Ferizajt, Marku mori dozën e nevojshme të karikimit nga publiku dhe pasi studio kundërshtarin e tij, filloi të kombinonte një seri goditjesh me gju, që e lanë të shtangur kundërshtarin rumun, që shkoi në tapet që në raundin e parë.

Një tjetër goditje me gju në raundin e dytë duket se filloi të tronditë rumunin, që e gjeti veten nën një breshëri grushtesh nga ana e Markut, duke kërkuar madje mëshirë kur ishte në tapet. Marku e kurseu goditjen e fundit, me gjyqtarin që mbylli takimin me dorëzimin e Vranceanut, duke i dhënë fitoren e radhës Markut, që njeh vetëm suksese në kafazin e MMA-së, aq sa në fund të sfidës konfirmoi dhe ambicien e tij për të arritur në nivelin më të lartë të këtij sporti në UFC.

Florian Marku mbetet kështu i pathyeshëm, duke regjistruar vazhdimisht suksese të rëndësishme në sportin e kik-boksit. Ai ka një tifozeri të zjarrtë dhe me duelin që zhvilloi në Ferizaj të Kosovës kampioni ynë shtoi më tej simpatizantët por edhe i bëri krenarë sportdashësit shqiptarë kudo që ndodhen.