HomeKronikeSport

FSHF tronditet nga themelet, pas Grimës fshihet Duka

FSHF tronditet nga themelet, pas Grimës fshihet Duka

“Përfshirje në llotari të palejuara”, është akuza që solli arrestimin e Armir Grimës. Mund të përkthehet si përfshirje në trukime, një akuzë e rëndë, po të mendohet se Grima mban detyrën e trajnerit të skuadrës kombëtare të femrave.

Tashmë njolla e zezë ka përfshirë FSHF-në dhe presidentin Armand Duka, i cili e kishte Grimën një prej njerëzve të tij më të besuar. Arrestimi i ish-portierit të Vllaznisë shënon dhe një goditje të fortë për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kujtojmë këtu se Grima ka qenë votues i palëkundur pro Dukës në dy palë zgjedhjet e fundit, e sidomos në zgjedhjet e 7 shkurtit të këtij viti.

Për “shërbimet” e tij ndaj kupolës së federatës ai është “dekoruar” me privilegje, si përfaqësues i zyrave rajonale të FSHF-së në Shkodër, apo dhe si trajner i Kombëtares së femrave.

Madje edhe Vllaznia, ekipi i “zemrës” i Dukës, ka qenë në duart e Grimës për disa vite. Nuk kanë munguar akuzat nga Rudi Vata por edhe të tjerë që Grima është përfshirë në trukime, por kjo pjesë i mbetet hetimeve nga prokuroria.

Natyrisht, nëse nga hetimet del se Armir Grima është përfshirë në trukim ndeshjesh, atëherë duhet besuar se kjo nuk ka ndodhur pa dijeninë e FSHF-së dhe kreut të saj Duka. Prandaj arrestimi i Grimës ka tronditur nga themelet FSHF-në dhe presidentin e saj, një ngjarje që nëse thellohet të con në skandalin e madh të manipulimit të ndeshjeve të të gjitha kategorive në futbollin shqiptar. /Pamfleti Sport