HomeAktualitet

Ftesa e Donald Trump për kryeministrin Rama “trazon” Greqinë, mediat: Shkon në Uashington për Bordin e Paqes

Ftesa e Donald Trump për kryeministrin Rama “trazon” Greqinë, mediat: Shkon në Uashington për Bordin e Paqes

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë javën e ardhshme drejt Uashingtonit me ftesë të presidentit Donald Trump për të marrë pjesë në mbledhjen e Bordit të Paqes më 19 shkurt. Lajmi u bë i ditur nga vetë Rama në podcastin “Flasim” dhe bëri xhiron e mediave botërore, përfshirë edhe ato të vendit fqinj, Greqisë, ku titulli kryesor shkruan:“Edi Rama do të marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të ‘Bordit të Paqes’ të Donald Trump”.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të udhëtojë për në Uashington javën e ardhshme për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i planifikuar për 19 shkurt”, shkruan gazeta Protothema, duke shpjeguar se kjo strukturë, e kryesuar nga Donald Trump, u krijua për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, por synon gjithashtu zgjidhjen e konflikteve të armatosura në mbarë botën.

Mediat greke raportojnë gjithashtu se në takimin e Uashingtonit do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Rumanisë si vëzhgues. Ato i referohen një postimi në rrjetin social X, ku Nicușor Dan njofton pjesëmarrjen në takimin e parë të Bordit të Paqes.

Deklarata e Ramës në podkastin ‘Flasim’ ka marrë edhe vëmendjen e mediave izraelite të cilat kanë bërë jehonë pjesëmarrjes së Shqipërisë në takimin inaugurues dhe rolit të vendit në këtë nismë.