Më 21 gusht telefoni i Nicolas Guillou papritur nuk funksiononte më për pagesa.
Ai nuk mund të rezervonte një udhëtim me Uber, një biletë treni apo një hotel. Kartat e tij të kreditit ishin bllokuar dhe ai nuk mund të paguante në supermarket, në restorant apo të përdorte normalisht llogarinë e tij bankare.
Edhe Expedia i refuzoi rezervimin për një dhomë hoteli në Francë. Arsyeja nuk ishte teknike, por politike. Guillou dhe katër gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë kishin miratuar lëshimin e një urdhër-arresti për krime lufte ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant.
Për këtë vendim, administrata Trump vendosi sanksione ndaj tyre dhe ndaloi çdo kompani amerikane, ose çdo kompani me interesa në Shtetet e Bashkuara, t’u ofronte atyre çfarëdo shërbimi.
E njëjta situatë ndodhi në korrik 2025 me Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për territoret palestineze. Ajo u sanksionua sepse kishte kërkuar që Gjykata të hetonte kompani dhe drejtues që, sipas saj, kishin bashkëpunuar në krimet e kryera në Gaza. PayPal arriti deri aty sa bllokoi pagesat që përmbanin në përshkrim emrin e saj. Sot ajo nuk mund të hapë llogari bankare as në Itali, sepse bankat kanë frikë nga ndëshkimet amerikane.
Kjo është e mundur sepse një pjesë e madhe e pagesave elektronike në Eurozonë kalojnë përmes rrjeteve amerikane si Visa, Mastercard dhe American Express. Nëse këto kompani, me urdhër të qeverisë amerikane, do të vendosnin të ndërprisnin shërbimin, europianët nuk do të mund të paguanin më me kartë krediti.
Vendet e Eurozonës nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të përbashkët europian pagesash, ndërsa bankat europiane kanë përfituar nga komisionet e larta që paguajnë kompanitë amerikane. Në praktikë, sanksionet amerikane mund të kthehen në një “dënim me vdekje financiare”. Kjo lidhet me atë që ish-presidenti francez Valéry Giscard d’Estaing në vitet ’60 e quajti “privilegji i tepruar” i dollarit.
Fuqia e SHBA-ve nuk është vetëm ushtarake, por sidomos financiare. Sipas të dhënave të Rezervës Federale, asetet në dollarë që mbahen jashtë Shteteve të Bashkuara arrijnë në 70 mijë miliardë dollarë dhe përfshijnë obligacione shtetërore, depozita, fonde dhe aksione.
Këto asete mbështesin rreth një të tretën e borxhit publik amerikan, i cili arrin miliarda dollarë. Prej 80 vitesh dollari është baza e sistemit financiar global. Bankat qendrore, fondet dhe kompanitë nga e gjithë bota mbajnë dollarë dhe i investojnë në titujt e shtetit amerikan, gjë që e bën më të lehtë për SHBA-në të financojë borxhin e saj.
Dollari përbën 58 për qind të rezervave valutore të bankave qendrore në botë, ndërsa euro ka rreth 20 %. Jeni japonez ka 6 %, sterlina britanike 5 % dhe renminbi kinez vetëm 2 %. Rreth gjysma e pagesave ndërkombëtare bëhen në dollarë.
Në tregtinë botërore dominimi është edhe më i fortë, sepse 96 % e faturave tregtare në Amerikë janë në dollarë, 74 % në zonën Azi-Paqësor dhe 79 për qind në pjesën tjetër të botës. Kjo do të thotë se kompanitë që bëjnë tregti ndërkombëtare duhet të kenë llogari në dollarë për të paguar furnitorët dhe për të marrë pagesa nga klientët. Nuk është rastësi që 60 % e depozitave bankare ndërkombëtare janë në dollarë.
Çdo transaksion në dollar kalon përmes sistemit bankar amerikan. Për këtë arsye, autoritetet amerikane mund të gjurmojnë informacionet mbi shumën, dërguesin dhe përfituesin e pagesës, edhe kur transaksioni ndodh mes dy vendeve që nuk kanë lidhje tjetër me SHBA-në. Kjo i jep Uashingtonit një mjet shumë të fuqishëm presioni.
Për një bankë ose kompani, përjashtimi nga sistemi i dollarit është pothuajse i barabartë me falimentimin.
Një shembull është banka letoneze ABLV, e cila në vitin 2018 u akuzua nga SHBA për lidhje me Korenë e Veriut. Vetëm kërcënimi me sanksione shkaktoi panik dhe tërheqje masive depozitash dhe brenda pak ditësh banka, që ishte e treta më e madhe në Letoni, u rrëzua.
Një tjetër shembull janë bankat europiane si Unicredit, BNP Paribas, Deutsche Bank, HSBC, Barclays, Credit Suisse dhe Commerzbank, të cilat kishin kryer pagesa në dollarë drejt Kubës, Iranit, Sudanit dhe Libisë, vende që ishin nën embargo amerikane por jo nën sanksione europiane në atë kohë.
Për të mos u përjashtuar nga sistemi i dollarit, këto banka paguan midis viteve 2010 dhe 2020 rreth 18 miliardë dollarë gjoba ndaj Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Edhe shtetet varen nga dollari. Gjatë krizave financiare është që u jep dollarë bankave qendrore të vendeve të tjera për të stabilizuar tregjet dhe për të qetësuar investitorët. Nëse këto flukse do të ndaleshin ose do të përdoreshin si mjet presioni politik, pasojat për ekonominë globale do të ishin shumë të rënda.
Kina po përpiqet të zvogëlojë varësinë nga dollari dhe në vitin 2025 rreth 40 % e tregtisë së saj u krye në juan. Megjithatë, roli ndërkombëtar i monedhës kineze mbetet i kufizuar për shkak të kontrollit të fortë shtetëror mbi ekonominë dhe mungesës së besimit të plotë nga investitorët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, disa dyshime po lindin edhe ndaj SHBA-së për shkak të vendimeve të paqëndrueshme në politikën e jashtme. Për këtë arsye, Banka Qendrore Europiane po përshpejton projektin e euros digjitale, e cila do të lejonte që pagesat brenda Europës të mos varen nga rrjetet amerikane dhe do të ofronte llogari për të gjithë, edhe për persona të sanksionuar nga SHBA.
Sipas presidentes së BQE-së, Christine Lagarde, euro mund të bëhet një alternativë e besueshme ndaj dollarit nëse Bashkimi Europian forcon mbrojtjen e tij, lëshon më shumë borxh të përbashkët dhe zgjeron ndikimin e tij tregtar. Marrëveshjet e fundit të tregtisë së lirë me Indinë dhe vendet e Mercosur mund të ndihmojnë, sidomos nëse tregtia mes tyre zhvillohet më shumë në euro sesa në dollarë.
Një hap tjetër i rëndësishëm do të ishte krijimi i një tregu të vetëm kapitalesh në BE, duke bashkuar 27 tregjet financiare europiane në një të vetëm që të konkurrojë me Wall Street. Aktualisht, çdo vit rreth 300 miliardë euro kursime europiane investohen në SHBA, duke mbështetur ekonominë amerikane, borxhin e saj publik dhe programet e mëdha të shpenzimeve për mbrojtjen dhe uljen e taksave.
Për ta arritur këtë forcim, të 27 vendet anëtare duhet të veprojnë së bashku. Sipas autorëve, SHBA nuk ka interes që Europa të bëhet më e pavarur financiarisht dhe përpiqet të pengojë këtë proces. Në thelb, kontrolli mbi dollarin i jep Amerikës një fuqi të jashtëzakonshme për të ndikuar mbi individë, banka dhe shtete në të gjithë botën./CorrieredellaSera

