HomeBota

Gara me kohën! Ndërhyrja e CIA-s dhe operacioni i shpëtimit: Si u nxorr oficeri amerikan nga Irani?

Gara me kohën! Ndërhyrja e CIA-s dhe operacioni i shpëtimit: Si u nxorr oficeri amerikan nga Irani?

“E morëm!” – kështu shkroi me gërma të mëdha Donald Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke njoftuar shpëtimin e pilotit të avionit amerikan të rrëzuar në Iran.

Piloti i një avionic F-15E Strike Eagle kishte mbetur për më shumë se 36 orë në tokë, i plagosur dhe i fshehur në territor armik, përpara se të nxirrej në një operacion që konsiderohet ndër më kompleksët e javëve të fundit.

Ngjarja nisi të premten, kur avioni amerikan u godit nga mbrojtja ajrore iraniane. Dy personat në bord u katapultuan në ajër. Piloti i parë u shpëtua pothuajse menjëherë, ndërsa oficeri tjetër mbeti pas, në një zonë malore në jug të vendit.

LEXO EDHE:
Anija cisternë e Japonisë kalon Ngushticën e Hormuzit pa pengesa
Prej atij momenti nisi një garë me dy drejtime: forcat speciale amerikane u përpoqen të organizojnë shpëtimin, ndërsa njësitë iraniane po e kërkonin për ta kapur. Sipas raportimeve, për kokën e tij u vendos edhe një shpërblim prej mbi 50 mijë euro.

Për më shumë se një ditë e gjysmë, ai qëndroi në lëvizje, shmangu kontaktin dhe ndryshoi vazhdimisht pozicion për të fituar kohë. Në një moment, sipas burimeve të cituara nga “New York Times”, ai ndërmorri edhe një lëvizje të guximshme për t’u afruar me ekipin e shpëtimit. Ishte një garë për jetë a vdekje.

Ndërkohë, mbi zone po zhvillohej një operacion i gjerë. Dronë dhe avionë amerikanë patrulluan dhe mbajtën situatën nën kontroll, ndërsa komunikimi me oficerin mbetej i hapur.

Në lojë hyri edhe CIA. Sipas raportimeve, agjencia përhapi qëllimisht informacion se ushtaraku ishte lokalizuar dhe se shpëtimi ishte i afërt, për të shpërqendruar kërkimet iraniane. Paralelisht, ajo arriti të përcaktojë me saktësi vendndodhjen e tij dhe ia përcolli të dhënat Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Operacioni final nisi gjatë natës, kur u krijua momenti i duhur. Forcat speciale amerikane u futën thellë në territorin iranian, në një ndërhyrje ku u përfshinë qindra trupa dhe dhjetëra mjete ajrore.

Sipas të dhënave të para, operacioni nuk kaloi pa probleme: dy avionë të operacioneve speciale MC-130, u goditën dhe më pas u shkatërruan në tokë për të mos rënë në duart e Iranit. Ndërkohë, forca të tjera amerikane nga ajri goditën njësitë iraniane që ndodheshin në kërkim të pilotit.

Në fund, kontakti u realizua dhe nxjerrja e tij zgjati vetëm pak minuta.

Piloti u shpëtua dhe, sipas Trump, është “shëndoshë e mirë”. Ai ndodhet aktualisht i shtruar në një strukturë mjekësore në rajonin e Gjirit, ndërsa Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë ndienë më në fund lehtësim pas një operacioni që me kalimin e orëve dukej gjithnjë e më i vështirë. /Francesco Manacorda/ La Repubblica