HomeAktualitetKronike

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sot nis fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Thaçit

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sot nis fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Thaçit

Ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit nis sot fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale të Hagës.

Në ditën e tretë të fazës përfundimtare te procesit më të madh gjyqësor në Hagë, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq do të fillojë shpalosjen e deklaratës përmbyllëse prej orës 9 të mëngjesit.

Në ditën e dytë, më 10 shkurt, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.

ZPS ka thënë se ka pranuar, siç pretendon, mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë. Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënimin me burg nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së, që në total i bie 180 vjet burgim.

Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.

Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite. Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”. Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.

Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, gjatë kësaj dhe javës së ardhshme kanë mundësi që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën plenare për shkak të gjyqit në Hagë. Seanca e parashikuar të mbahej në orën 12:00, është shtyrë për në orën 17:00 pasi mbrojtja do ta ketë fjalën gjatë gjithë ditës.

Ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ka nisur prej 3 prillit 2023.