HomeAktualitetDebat

Hetim parave të familjes, kush financoi “Rithemelimin”?! Miliona për Kuvendin dhe 27 “Foltoret”! Ku i gjeti paratë Berisha që s’kishte as partinë? Ja çfarë po heton SPAK!

Hetim parave të familjes, kush financoi “Rithemelimin”?! Miliona për Kuvendin dhe 27 “Foltoret”! Ku i gjeti paratë Berisha që s’kishte as partinë? Ja çfarë po heton SPAK!

Në stadiumin “Air Albania”, në atë që e quante Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, 11 dhjetorin e vitit 2021, Sali Berisha zhvilloi aktin final të një aksioni të nisur për luftën brenda PD kundër kryetarit të atëhershëm Basha. Ky i fundit e kishte përjashtuar nga grupi parlamentar i PD disa muaj më herët, shtatorin e vitit 2021, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën ‘non grata’ si politikan i korruptuar që minon demokracinë.

Kuvendi, një organizim luksoz në stadiumin kombëtar si askush më parë dhe që i kushtoi miliona Berishës, vinte pas 27 takimeve të ndryshme në të gjithë vendin, që i quante “Foltore”. Për të gjitha këto Sali Berisha nuk tregoi asnjëherë se ku i gjeti paratë, në një kohë kur nuk kishte as Partinë Demokratike dhe fondet e saj.

Vetëm për Kuvendin e 11 dhjetorit, nuk bëhet fjalë për shifra të vogla, por qindra milionë lekë, shpenzime që përfshinin qira të hapësirës ku është zhvilluar aktiviteti, skenografia e përdorur, reklamat në televizione të ndryshme, aksesorët për militantët me logon e partisë, materialet zgjedhore, qira sallash, kohë televizive satelitore etj.

Report Tv pati raportuar se vetëm shoqëria që administron stadiumin, ‘Qendra Sportive Kuqezi’ dhe që është në varësi të FSHF, i mori rreth 1 milionë lekë ose mbi 10 mijë euro Berishës, që t’i vinte në dispozicion të ‘Foltores’ arenën e madhe të shqiptarëve.

Në tapetin e gjelbër të fushës u vendos një skelë e madhe, e cila ishte porositur në Itali, shumë e kushtueshme. Gjithashtu u vendosën ekrane të mëdhenj moderne.

Në atë kohë jo vetëm mediat, por edhe vetë pala tjetër përballë në PD ia kërkoi llogarinë e parave Berishës. Gazment Bardhi, që para 5 vitesh ishte kundër Berishës, e sot është kreu i grupit Parlamentar të tij, e akuzonte

“Secila media të trokasë në zyrën e z. Berisha që të bëjë transparencë të plotë të mitingut të 11 dhjetorit. Ju premtoi që shpenzimet dhe faturat e mitingut luksoz të 11 dhjetorit do të ishin publik, do të informonte se kush ishin financuesit. Pas publikimit do të shikoni se është top lista e oligarkëve që marrin nga mëngjesi në darkë paratë e shqiptarëve me firmë të Edi Ramës”, thoshte Gazment Bardhi.

Por as kjo deklaratë e fortë e Gazment Bardhit nuk ia ndryshoi mendjen Berishës. Ai kurrë nuk tregoi origjinën e asnjë qindarke, jo vetëm për Kuvendin por as për 4 muajt e 27 foltoreve të tij, që i kushtuan të paktën qindra mijëra euro.

Dhjetëra ambiente të marra me qira, salla e konferenca në hotele, salla të teatrove apo qendrave të tjera publike. Dhjetëra roje që u paguan për sigurinë e Sali Berishës si dhe eskorta me një varg makinash luksoze. Madje vetë Berisha mburrej në Facebook-un e tij me vargun e makinave luksoze që e shoqëronin. Shpenzimet përfshijnë gjithashtu konsum karburanti të dhjetëra makinave që kanë shoqëruar Berishës nëpër Shqipëri, dekor, flamuj, banderola etj.

Jo vetëm kaq. Por nga fundi i ‘Foltoreve’ të tij, Berisha organizoi edhe dy takime paralele, njërën në një sallë super të shtrenjtë në Tiranë dhe tjetër një sallë tjetër të prenotuar në SHBA. Dy sallat kushtuan dhjetëra mijëra euro, duke i shtuar këtu edhe udhëtimin e njerëzve të tij drejt SHBA-v, ku vetë nuk shkonte dot si ‘non grata’.

Pyetja që lind natyrshëm është: Ku i ka gjetur paratë Sali Berisha për të mbuluar shpenzimet për Kuvendin, 27 ‘Foltore’, eskortën, truprojat, karburantin, fushatën publicitare etj. Edhe sot pas 5 vitesh nuk ka një përgjigje. Por ‘enigmën’ pritet ta zgjidhë Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion. Të hënën për më shumë se një orë u pyet nga hetuesit Belind Këlliçi, i cili ishte kryetar i Komitetit Drejtues të Kuvendit, sot një prej njerëzve më afër Berishës. Një ditë më pas u pyet edhe Indrit Hoxha, një tjetër organizator i Kuvendit.

Shpenzimet e kryera për Kuvendin e famshëm të Berishës 11 dhjetorin e vitit 2021, po hetohen nga prokurori i posaçëm Arben Kraja, si pjesë e hetimit pasuror për kreun e PD dhe familjen e tij, fraksion i hapur në kuadër të aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Për këtë dosje Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë në gjyq të pandehur për korrupsion e pastrim parash.