HomeAktualitetDosja X

Hetimet për Koncesionin e Laboratorëve, Klodjan Allajbeu thirret në SPAK

Hetimet për Koncesionin e Laboratorëve, Klodjan Allajbeu thirret në SPAK

Biznesmeni Klodjan Allajbeu u paraqit në SPAK lidhur me hetimet që po zhvillohen për koncesionin e laboratorëve. Thirrja e tij në Prokurorinë e Posaçme si person që ka dijeni për çështjen vjen pas kontrollove të ushtruara në kompani të lidhura me të dhe spitalin Amerikan.

Pas daljes nga SPAK, Allajbeu nuk pranoi të flasë për gazetarët duke thënë vetëm se nuk ka asgjë për të thënë.

Nga kontrollet u sekuestruan dokumente, celularë, kompjutera dhe materiale të tjera të vlefshme për hetim të koncesionit mbi 100 milionë euro. Ndërsa vetë Allajbeut, SPAK i ka sekuestruar telefonin gjatë kontrollit personal.

Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në 24 prill 2019, ndërsa procedurat kishin nisur që në vitin 2015. Një raport i tetorit 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje të madhe dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”. Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës.