Nga TemA
Dy procedura prokurimi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për “Sistemin e Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore” dhe “Sistem ENTERPRISE SERVICE BUS”, kanë kritere të ndryshme kualifikimi për të siguruar që në të dy rastet fitues të jetë e njëjta kompani, Bashkimi i Operatorëve “Soft Solution” i Ermal Beqirit.
Një ankimim në tenderin e dytë rreth kriterit të veçantë të kualifikimit, ku kërkohej personel me certifikata CSP të nivelit “konfidencial” të lëshuara nga AKSIK, rezultoi se ishte anashkaluar në tenderin e parë.
Rasti i parë ka qenë më 24 shkurt 2025.
Këshilli i Lartë Gjyqësor me kryetar Ilir Rusin ka publikuar procedurën e prokurimit “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)” me fond limit 1,025,905,001 lekë pa TVSH (rreth 10 milion EUR).
Në këtë tender, në kriteret e veçanta të kualifikimit, kishte një kriter të veçantë ku kërkohej personel me certifikata CSP (Certifikata e Sigurisë së Personelit) të nivelit “konfidencial”, të lëshuara nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), për aksesin fizik të ambienteve të qendrës së të dhënave (Datacenter) të KLGJ.
Në këtë tender morën pjesë dy bashkime operatorësh, ku fitoi Bashkimi i Operatorëve “Soft Solution” i Ermal Beqirit, me çmimin 924,375,000 (9,529,639 EUR) dhe më shtrenjtë se rreth 1.1 milion EUR se bashkimi i operatorëve konkurrues.
Problemi u zbulua në tenderin e dytë më 16 qershor 2025, kur përsëri KLGJ-ja publikoi një procedurë tjetër prokurimi me objekt “Sistem ENTERPRISE SERVICE BUS (ESB)”.
Edhe në këtë procedurë prokurimi, në kriteret e veçanta të kualifikimit (po njësoj si në procedurën e parë), kërkohej i njëjti kriter i veçantë kualifikimi: personel me certifikata CSP të nivelit “konfidencial” të lëshuara nga AKSIK.
Në këtë procedurë prokurimi ky kriter i veçantë kualifikimi u ankimua, dhe gjatë procesit të ankimimit rezultoi se me një shkresë nr. prot. 1806, datë 05.05.2025 të AKSIK (Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar):
“…Datacenter i KLGJ-së përfaqëson një infrastrukturë kritike kombëtare…”
Pra, KLGJ për të justifikuar kriterin e CSP thotë se disponon një shkresë të datës 05.05.2025 nga AKSIK.
Pyetja që lind natyrshëm është:
Po në procedurën e parë të prokurimit (ICMIS), në datën 24.02.2025 (3 muaj përpara shkresës së AKSIK), KLGJ paska vendosur një kriter të veçantë kualifikimi me “mendjen” e saj, pa pasur asnjë dokument justifikues?!
Këto janë dy fakte që i thotë vetë KLGJ-ja. Të dyja nuk mund të jenë të vërteta.
Në procedurën e parë KLGJ paska vendosur një kriter kualifikimi të pajustifikuar, kriter i cili mesa duket është vendosur në procedurën e parë të prokurimit që të mos kishte konkurrencë.
Gjithsesi, në procedurën e dytë të prokurimit (ESB), mesa duket u kuptua gafa e KLGJ-së dhe kriteri për personel të pajisur me CSP u hoq pas ankimimit.
Për të kuptuar ndikimin e këtij kriteri të veçantë kualifikimi, mjafton që të shikohet fakti se me sa lekë u fitua gara e parë dhe me sa lekë po tentohet të fitohet gara e dytë.
Gara e parë u fitua me 90% të fondit limit,
ndërsa gara e dytë po tentohet të fitohet me 74.9% të fondit limit.
Në të dyja rastet bëhet fjalë për kompani në zotërim të IT-së Ermal Beqiri (Soft Solution dhe Horizon).
Pra, kur ishte kriteri kufizues, gara e parë (ICMIS) fitohet me 90% të fondit limit, ndërsa kur u hoq kriteri kufizues, po e njëjta kompani garën e dytë po tenton ta fitojë me 74.9% të fondit limit. Fakt që flet vetë.
Por oferta 74.9% e fondit limit konsiderohet si ofertë anomalisht e ulët sipas Ligjit të Prokurimit Publik Nr.162/2020.
Në procedurën e dytë të prokurimit, të datës 16.06.2025, e cila është në ankimim në KPP për më shumë se dy muaj, fituesi i shpallur nga KLGJ me ofertë anomalisht të ulët (bashkimi i operatorëve Soft Solution dhe Horizon të oligarkut Ermal Beqiri), rezulton me një ofertë anomalisht të ulët prej 3,104,800 lekësh më i lirë se konkurenti, sepse një komponent shumë i rëndësishëm i sistemit (pajisje “storage”, ku do të ruhen të gjitha të dhënat e sistemit), i cili është identik për të dy konkurruesit, “Soft Solution dhe Horizon” i kanë ofertuar 4 herë më lirë se konkurenti.
Kjo krijon dyshime për seriozitetin e ofertës anomalisht të ulët të fituesit të KLGJ-së.
Bëhet fjalë për të njëjtën pajisje “storage” të së njëjtës markë HPE, që konkurruesi tjetër (partner zyrtar i HPE-së), e ka 4 herë më të shtrenjtë, të marrë me autorizim prodhuesi nga vetë HPE, ndërsa “Soft Solution dhe Horizon”, të njëjtën pajisje identike e kanë 4 herë më lirë dhe e kanë me autorizim nga distributori, por jo me autorizim nga vete prodhuesi HPE.
Në ankimimin në KPP është dërguar një komunikim zyrtar me email i prodhuesit HPE, në të cilin citohet se një autorizim distributori nuk është i vlefshëm nëse kompania nuk është partnere zyrtare e HPE (as Soft Solution dhe as Horizon nuk janë partnere zyrtare të HPE).
Kjo do të thotë se, mesa duket, pajisja “storage” me çmim 4 herë më të lirë, nuk do të ofrohet nga kanalet zyrtare të HPE-së, por mund të jetë:
e përdorur, ose
e blerë në ndonjë magazinë pa garanci nga prodhuesi HPE.
Është për t’u pritur se si do ta vlerësojë KPP-ja këtë fakt shumë të rëndësishëm.
Por fakti më domethënës është:
Kur vendosen kritere për kufizim të konkurrencës → tenderat e KLGJ-së fitohen me 90% të fondit limit.
Kur nuk ka kritere kufizuese → tenderat mund të fitohen edhe me 74.9% të fondit limit.
Bëhet fjalë për miliona euro diferencë nga fondi limit ne një prokurim nga institucioni që zgjedh gjyqtarët.

