HomeBlog

Iluzioni i Berishës se “Gjenerata Z” duhet të shpëtojë “Gjeneratën S”

Iluzioni i Berishës se “Gjenerata Z” duhet të shpëtojë “Gjeneratën S”

Mero Baze

Të lindurit në vitin 1944 i kap Silent Generation, e thënë shkurt gjenerata S. Të lindurit rreth 1997–2012, janë ata që quhen gjenerata Z.

Të dy gjeneratat lidhen me një vit lufte në Shqipëri. Gjenerata S, ajo e Saliut, ka lindur kur vendi ishte në flakët e Luftës së Dytë Botërore, kurse gjenerata Z ka lindur në vitin kur Shqipëria ishte në flakët e luftës civile, provokuar nga Sali Berisha.

Tani Sali Berisha kërkon që shpëtimin e tij politik ta ketë nga gjenerata Z.

Gjenerata Z, pas vitit 1997, është rritur me smartphone, internet, rrjete sociale, informacion global, WhatsApp, Instagram, TikTok, etj. Ata kanë si vlerë kryesore të qenit origjinal, lirinë personale, mirëqenien personale dhe një ndjeshmëri të madhe ndaj temave si: shëndeti mendor, identiteti, barazia gjinore, të drejtat e njeriut, etj. Mbi të gjitha janë sfidues të autoriteteve që duan t’i kontrollojnë. E shohin punën si diçka që duhet të ketë kuptim dhe fleksibilitet. Gjenerata Z kërkon më shumë ndërrim vendesh pune, emigrim, punë online, freelance; nuk pranojnë lehtë punë “vetëm për bukë goje”, pa perspektivë ose dinjitet.

Të gjitha këto tipare e bëjnë gjeneratën Z një fuqi të madhe ndryshimi në shoqëritë e sotme, pasi vendosin autoritetet shtetërore nën presionin e krijimit të një shoqërie të re, të panjohur dhe shpesh të vështirë për t’u përballuar.

Natyrisht edhe në Shqipëri ekziston kjo gjeneratë. I kemi në mes nesh, janë fëmijët tanë, janë një brez i tërë që shpesh na duket i padobishëm dhe i palidhur me atdheun dhe vlerat që ne mendojmë se janë të rëndësishme për një shoqëri.

Dhe ata mund të bëhen faktorë ndryshimi në Shqipëri. Mund të sfidojnë pushtetin, mund të ngrihen, mund të ndryshojnë politikën e gjithçka tjetër.
Vetëm një gjë nuk kuptoj: pse Sali Berisha, i gjeneratës S, që është rritur si komunist dhe po vdes si i tillë, mendon që gjenerata Z do të ngrihet për ta sjellë atë në pushtet?

Të parin poltikan që gjenerata Z flak në kanal, është prototipi i politikanit Sali Berisha. Por me sa duket Berisha mendon se gjenerata Z mund të gënjehet si studentët e Dhjetorit, që ata të bëjnë kryengritjen pastaj ai të rimarrë pushtetin?

Madje jo vetëm Berishën, por ata do të fshijnë edhe këta eksperimentuesit e përcar opozitar, këta që secili thërret nga një ‘protestë kombëtare’, por kanë njerëz sa për të mbushur një sallë mbledhjesh. Gjenerata Z nuk ngrihet në protesta për të ringjallur të vdekurit, por për të varrosur të gjallët që i kemi nëpër këmbë.

Gjenerata Z është armike e autoritarizmit dhe rregullave. Nuk do të thotë që sjellin domosdoshmërisht një gjë të mirë në shoqëri, pasi mund të sjellin edhe anarki, por Sali Berishën nuk e sjellin kurrë në pushtet.
Se kur thuhet Gjenerata Z, nuk do të thotë se janë “të Zenit”. Si këta protestuesit që mbledh para Kryeministrisë.