Nga Edi Rama
Sot ne jemi këtu që të shpallim publikisht qëndrimin tonë në lidhje me kërkesën e prokurorit special për të autorizuar kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut.
Ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar, jo për vjedhje, jo për korrupsion dhe gjësendi tjetër të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në kryerjen e një vepre të rëndë penale, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka kryer veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë, në celularin e një ish-drejtori dhe mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar asokohe, por si rëndom servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin tek kuzhina e stacionit të trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm nga prokurori dhe gjykatësi i seancës paraprake, pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Një masë absurde, që siç e kemi shpjeguar më parë, pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin, prandaj edhe nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë, një budallallëk i kësaj natyre.
Pastaj papritur fare përfundimin e procesit, të hapur prej nesh në Gjykatën Kushtetuese, për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, sapo Gjykata e pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte çështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë; kërkesa që diskutojmë sot dhe e diskutojmë me të drejtën që na jep Kushtetua e Republikës së Shqipërisë, për të autorizuar ose jo arrestin e një deputeti, gjë për të cilën do flas konkretisht ca më poshtë.
Thjesht njoftimi i akuzës, në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga grupet hetimore të “stacionit të trenit”, të cilat i përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe të asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut, të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes, që zien e zien e zien pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë mediatik e politik dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale, për ta kthyer njeriun në një kriminel me 300 vila, 2 jahte, 10 mijë euro solucione magjike për një larje makine, ndërkohë rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën të gjitha nga korrupsioni, shirat u derdhën me gjyma dhe përmbytjet mbuluan edhe malet e Shqipërisë nga mungesa e kanaleve të vjedhura prej saj, deti u bë kos për qenërinë e pazarit politik dhe mediatik dhe erdhi më në fund, me thirrje histerike jashtë derdhjesh në bulevard, e shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe ndaj njeriut që e çoi PD për jufka ne Dibër dhe asfaltoi krejt në Fier me gjithë Gazin e Zegjinesë (burri i parë në historinë e Europës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë. -Mëshirë, Zegjine).
Por, ndërkohë që Belinda Balluku u kthye në shtrigën që duhet djegur në turrën mesjetare të druve, me zjarr molotovësh dhe tërë fondet e mobilizuara si asnjëherë më parë në këto vite nga burime e shtetit, të organizmave financiarë ndërkombëtarë apo të sipërmarrjes private për infrastrukturën u kthyen në para të grabitura prej asaj vetë, unë pikërisht sot duhet t’u them shqiptarëve se ndryshimi epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë, nuk e solli koha, nuk e sollën as thjeshtë paratë. Para janë harxhuar plot edhe më parë, në ato rrugët e lëna rrugëve. Nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie, ku bën pjesë edhe Belinda Balluku si anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste, si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më të mbështetur nga zgjedhësit e cila për 6 vjet me radhë drejtoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke punuar pa orar, luftuar pa rezervë për të realizuar në afat dhe në cilësi objektivat ambiciozë të programit tonë qeverisës, mes 1001 vështirësish në këta dy sektorë që e kanë vuajtur gjatë prapambetjen historike për shumë arsye.
E di që edhe këtu mes nesh ka disa, që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës dhe skuadrave të udhëhequra prej saj në territor, burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet afërta vendore në qarkun e Fierit, ku ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do të jetë më në asnjë pushtet ekzekutiv.
Por, ajo që unë di me siguri është një gjë tjetër; se pakkush nga ne këtu i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin, duke shkuar rregullisht në zonat që mbulon si drejtuese politike.
Nuk kam fare në plan ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën sot dhe uroj që në hetimin e çështjes për të cilën ajo akuzohet se ka kryer një vepër penale, Prokuroria të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni sepse në fund të ditës, gjithkush pas të 18-ve, varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe me zakon. Ndërkohë që, unë si kryeministër ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që nuk e kanë idenë e kësaj detyre, nuk e kam as të mundur, por nuk e kam as të lejuar, qoftë nga ligji e qoftë nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.
Nuk kam ndërmend as t’ju them, aq më tepër juve, që e njihni më mirë se të tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë sesa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht që t’i dalë e vetja.
Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë, të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia dhe duke hyrë në përmbajtjen e çështjes, gjëra që i takojnë ekskluzivisht avokatit apo prokurorit dhe gjykatësit, jam, s’jam unë dakord me këta të fundit.
Por, nga ana tjetër, nuk kam ndërmend as që në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka drejtuar dhe ndjekur përditë pa ndaluar asnjë ditë.
Gjatë këtyre 6 vjetëve në vendin tonë janë ndërtuar dhe rindërtuar me standarde europiane rreth 1000 kilometra të rrjetit të ri rrugor kombëtar, nuk llogaris rrjetin dytësor dhe tretësor se nuk është në kompetencën dhe autoritetin e Ministrisë dhe të qeverisë, por të bashkive dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ndërkohë, 40 kantiere janë aktualisht të hapur në të gjithë vendin dhe do të jenë vlerë e shtuar e Shqipërisë 2030 në BE, që nga aksi Elbasan-Rrogozhinë, i cili mbyllet në 2027 me ecuri mbi 60% aktualisht, tek Elbasan-Qafë Thanë, që po ashtu mbyllet në 2027-ën duke i vënë në dispozicion, jo vetëm Shqipërisë, por edhe BE edhe NATO-s Korridorin e 8, i cili për 30 vjet u bllokua në Komisionin Europian nga të tjerë për të mos u kualifikuar dhe klasifikuar si Korridor i rrjetit europian të transportit dhe e zhbllokuam ne, në Samitin e BE me Ballkanin Perëndimor këtu në Tiranë dhe i cili njëkohësisht është shpallur korridor sigurie për mobilitetin e forcave të NATO-s.
Edhe Elbasan-Banjë apo bypass-i i Fierit dhe i Vlorës, rrugë, të cilat numëroheshin dikur me daulle dhe me klithma majëkrahi në inventarin imagjinar të mijëra e mijëra kilometrave të ditëziut dhe punë ziut që i ra për hise Shqipërisë dje dhe i ka rënë për fyti opozitës nga lindja deri në agoninë e saj, por të cilat në fakt ishin vetëm gropa borxhesh dhe plagë të hapura rrugëve, janë vepra që janë kryer pikërisht në këto 6 vite. Ashtu siç u kryen dhe Orikum-Dukat apo tuneli i Llogarasë për të cilin flitet në havanë e tymit të tenxhereve dhe në oturakët e “qimbellinjve” për miliona e “meleona” të vjedhur, por të vetmet miliona dhe “meleona” të vërteta deri tani që flasim janë ato të përfituarat më tepër nga rritja e fluksit të makinave drejt bregdetit Jon për ekonominë dhe financat e vendit. Palas-Dhërmiu, Kardhiq – Delvina e shumë premtuar dhe ajo madje edhe ajo në atë inventarin imagjinar të ditë-punëziut, por e realizuar vetëm në të njëjtën periudhë.
Korçë – Ersekë, tjetër vlerë e madhe e shtuar. Qukës-Qafë Plloçë një gropë në formë humnere e derdimenit të lartëpërmendur, e cila na mbeti në kurriz bashkë me projektin e hartuar nga analfabetë me dy gishta. Dhe e rinisëm krejt nga e para si projekt, duke e bërë fytyrën shollë me kreditorët e huaj për të vazhduar të na mbështesin. Ka përfunduar dhe ajo.
Bypass i Tepelenës, ura e Ali Pashës, Maliq-Lozhan, Berat-Ballabani. Për të vazhduar me Thuman-Kashar dhe me rrugën e Arbrit. Dy ëndrra në beze për shumë e shumë vite, kur thonë tiranasit, ndërsa sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme apo Unaza e Madhe e Tiranës dhe këtë e llogariste katrani i madh në atë inventarin imagjinar të mijëra e mijëra kilometrave u bë realitet pasi iu qep Ministrja e Infrastrukturës, tamam duke qëruar oriz kur i thonë llafit, se në çdo 100 metra kishte një problem. Jo shpronësimi i pa bërë këtu, jo kanali atje, jo kabllot e nëndheshme të RTSH tutje, jo kolektori poshtë, jo lumi me klubin nën vete, jo përroi me lavazhin mbi veten, jo dreqi me leje, jo i biri pa leje, jo ky me legalizim, jo ai në proces legalizimi, jo ata që nuk luanin vendit se kanë qenë me ne, jo ata që nuk hapnin rrugën se ishin me ata, jo dreqërit dhe të bijtë që nxisnin ato protestat me bllokime këtu e atje, bam bariu e bam i biri, bum Falliu e ham i ati derisa u qëruan të tërë dhe u krye edhe unaza e madhe e Tiranës.
Bulqizë-Martaneshi, Maqellar-Peshkopia, Ura e madhe e Kukësit bashkë me viaduktet e Rrugës së Kombit, të tëra të mbetura në havanë e premtimeve, të pritjeve shumëvjeçare, u mbyllën dhe ato. Doli dhe rruga e Kombit nga ajo gryka e shishes pa llogaritur gjithë peripecitë e tjera të saj.
Janë aktualisht në ndërtim rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i parë i Bypass i Tiranës, Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq-Plepa, bypass i Sarandës, rruga e Komanit. Ndërkohë që, segmentet e Korridorit blu nga Balldren-Milot, Milot-Thumana, Kashar-Lekaj, Lekaj-Fieri, janë të tëra në përgatitje kantieresh pas procesesh të ndërlikuara teknike dhe lidhje kontratash koncesionare. Nuk i rendita kot të tëra këto sepse janë vepra të një Shqipërie tjetër. Ndër plot të tjera që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë, një Shqipëri që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë e 700 tenxhereve, që bulojnë përditë e përnatë “skandal këtu e skandal atje, shpërtheu andej, plasi këtej, ikën të tërë jashtë nga Shqipëria, ikën të tërë brenda nga qeveria”, bam, bum e bam bum.
I rendita sepse dua t’i ftoj të gjithë ju që jeni këtu dhe ata që na kanë besuar drejtimin e Shqipërisë, por edhe këdo tjetër që nuk ka frikë ta provojë ta marrë me mend që t’ia heqim për një çast vendit të gjitha këto arterie të reja dhe ta marrin edhe njëherë me mend rrugën e vjetër për Dibër, atë që nuk mbaronte kurrë, e kur ti thoshe Peshkopi, në fakt nuk ishe akoma në Burrel.
Të shkoj njëherë për Vlorë, e ta harrojnë by-passin, t’i bien nga Radhima e të fillojnë të kaptojnë Llogaranë. Të ikin njëherë në Sarandë nga Gjirokastra përmes asaj rrugës me rrotullime, ku rrotullohesh e pastaj e gjeje veten 2 metra mbi pikën ku ishe përpara se të filloje rrotullimin, pastaj futeshe prapë në rrotullimin tjetër.
Të provojnë edhe një here Ersekën nga ajo rruga e mëparshme, që dikur e detyroi një shokun tonë që bënte fushatë andej, t’ju thoshte kolonjarëve, çudi si e votoni ju, Partinë Socialiste. Iu kujtohet ai shoku?
Se u merua duke bërë atë rrugë dhe po ndalem me kaq, se kam frikë se mos i zë rruga ata që po na dëgjojnë, duke udhëtuar nëpër Shqipërinë e asaj infrastrukturës së ububushme. Po besoj se çdo mëndje e lirë nga urrejtja politike i mjafton kaq, një udhëtim i shpejtë mbrapsht në kohë për ta pranuar pa asnjë gajle vlerën e punës kolosale që është bërë.
Flasim pak për hekurudhat, se kollaj të thuash, “Ku i keni hekurudhat? Pse si bëni hekurudhat? S’keni një hekurudhë, s’keni! Se nuk keni turp, nuk keni!” Por të rilindësh infrastrukturën hekurudhore nga hiçi, ku e katandisi liri demokracia e fillim viteve ’90, duhet jo thjesht një përpjekje dhe një durim shumë i madh, po dhe një reputacion i vendit, një situatë ekonomike dhe një aftësi financimi që deri dje Shqipëria nuk e kishte as gjëkundi.
Tanimë ne nuk kemi thjesht një synim, po kemi një plan konkret për të ndërtuar rreth 530 kilometra hekurudhë sipas standardeve të Bashkimit Europian, të elektrifikuar dhe të integruar në rrjetet europiane, projekte konkrete, procese pune konkrete.
Hekurudha Durrës-Tiranë – Aeroporti i Rinasit, aktualisht në ndërtim, do të jetë linja e pare e elektrifikuar në vend me 12 stacione përgjatë saj, e cila do të nisë operimet në fillim të vitit të ardhshëm.
Hekurudha Vorë – Hani Hotit, lidhja me Malin e Zi, është aktualisht në proces prokurimi. Ndërtimi pritet të nisë në fund të këtij viti dhe të përfundojë në 2030.
Pjesë e Korridorit 8 janë rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë, që nis ndërtimin po në fund të këtij viti dhe përfundon në fund 2028, si dhe projekti Rrogozhinë – Pogradec dhe kufi me Maqedoninë e Veriut, aktualisht në fazën e projektimit.
Ka përfunduar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e Kombit, Durrës-Prishtinë, me gjatësi 105 kilometra, 14 tunele dhe 43 ura.
Në takimin e fundit me Kryeministrin Kurti, kemi folur edhe për dy pista financimi të huaj, të cilat do t’i eksplorojmë bashkërisht.
Ka nisur hartimi i projektit të detajuar për linjat Vlorë – Aeroporti i Vlorës dhe Sukth – Porto Romano, që do të lidhin portet dhe aeroportet në rrjetin hekurudhor, ndërkohë që po studiohet edhe rindërtimi i hekurudhës Durrës-Vlorë.
Për herë të parë me qeverinë tonë, edhe kjo diçka e këtyre 6 viteve, sepse nuk dua t’i kthehem kohës kur erdhëm për të qeverisur dhe u bëmë me detyrim përcaktim zjarrfikës dhe mbyllës gropash nga të katërt anët, sa në financat e shtetit, e sa në rrugët e lëna e rrugëve, e në çdo sektor tjetër. Një strategji reale funksionale kombëtare e aviacionit civil, e fokusuar në infrastrukturë, në konkurrencë dhe në ndërlidhje që e ka rritur aksesin e qytetarëve në aviacion nga 13 % që ishte në vitin 2019 në 34% që është sot.
Liberalizimi i tregut ajror ka sjell operatorë të rinj, duke ulur çmimet e biletave, duke rritur numrin e fluturimeve direkte nga Tirana dhe duke e bërë Tiranën pikën kyçe të aviacionit rajonal.
Besoj që askush nga ata që e nuk e kanë mendjen, të pakapur peng nga tenxheret politike dhe mediatike, nuk e ka harruar kohën se nuk është dhe kaq e largët, kemi qenë ne në qeveri me trashëgiminë e rëndë mbi supe, kur fluturohej nga Shqipëria apo për Shqipëri, biletat ishin më të shtrenjtat në Europë.
Sot kemi aeroportin më të madh në kapacitet pasagjerësh në Ballkanin Perëndimor dhe prej vitesh e kemi lënë pas aeroportin rajonal të Beogradit, i cili ka qenë aeroport kur Rinasi ishte një pistë me një terminal që ishte më i vogël se kjo salla këtu, se kam qenë edhe unë në atë terminalin, kur kemi shkuar me ekipin kombëtar për të luajtur jashtë, disa tavolina, disa karrige, disa mbulesa me kuadrate të kuqe, mbi mbulesën me kuadrate edhe një mbulesë tjetër e bardhë në formë rombi, edhe mbi ata ca gota qelqi që duhet të hapje gojën “kaq” për të futur gotën që të derdhësh ujin në gojë, por juve brezi i ri nuk i keni patë ato gota. Prandaj dhe sot kujtoni se jeta është më e lehtë.
Aeroporti i Tiranës sot ka 80 destinacione dhe 27 linja ajrore, duke arritur të përpunojë në vitin që sapo u mbyll 11.6 milionë pasagjerë, 247 % më shumë krahasuar me vitin 2019, para se të futej në funksion gjithë strategjia për të cilën fola.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe do të fusë në Shqipëri, përveç fluturimeve transoqeanike, edhe modele të reja biznesi të aviacionit, kargon dhe mirëmbajtjen e avionëve, gjë për të cilën është nënshkruar edhe marrëveshja.
Nuk besoj se duhet t’ia kujtojë njeriu këtë, se sa herë është premtuar, ëndërruar, imagjinuar aeroporti i Vlorës, por tani që po përfundon, mund të them që për Vlorën më e mira është e gjitha përpara në drejtim të perspektivës ekonomike.
Ndërtimi i portit të ri tregtar dhe ushtarak në një krahë, në Porto Romano parashikon trefishimin e kapaciteteteve përpunuese aktuale dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike, parku logjistik, ndërkohë që hap rrugën e dy porteve të reja të thata në Prishtinë dhe në Shkup, duke krijuar një nyje të re me fuqi strategjike dhe logjistike të konsiderueshme, jo thjesht për rajonin, po dhe si një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian dhe NATO.
Dhe duhet të them këtu dy fjalë për Porto Romanon, është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale e Royal Haskoning nga Hollanda.
Një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga A-ja te Zh-ja nga konsulenti Royal Haskoning përsëri dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet.
Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian, për çdo gjë tjetër jam te C-ja.
Investimet e tjera në proces përfshijnë edhe transformimin e triportit në Vlorë, në një port të mirëfilltë tregtar, i shumë munguar për Vlorën dhe ndërtimin e 4 marinave turistike në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Nuk do flas për marinën e Sarandës se po më shikon Ulsiu, dhe s’dua të krijoj konfuzion këtu për raportet shumë të kthjellëta që kemi me drejtësinë, ndërkohë që marina e Durrësit dhe e Vlorës janë në proces ndërtimi, në Shëngjin kemi filluar një proces me kryetarin e bashkisë dhe me një super ofertë të një subjekti shumë të njohur në Europë, për Sarandën pyesni Ulsiun më shumë.
Për sa i përket energjisë, sot kemi përqindjen më të ulët të humbjes në rrjet, që hyn tanimë në sferën e humbjes teknike, ndërkohë që e patëm nisur atëherë me 50% thuajse humbjen në rrjet. Janë zhvilluar 5 ankande ndërkombëtare që kanë krijuar mundësinë për 640 megavat kapacitete fotovoltaike dhe 222 megavat kapacitete eolike duke arritur disa nga çmimet më konkurruese në Europë për energjinë e rinovueshme.
Karavastaja 140 megavat është sot në operim. Spitalla 100 megavat është në ndërtim. Parku eolik në Kavajë 75 megavat, Akërnia 100 megavat dhe rreth 300 megavat të tjera janë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit. Është diversifikuar dhe rritur prodhimi i energjisë ku 600 megavat kapacitete të reja janë shtuar dhe priten dhe rreth 1000 megavat deri në përfundim të vitit 2027.
Nga vdekja e Enver Hoxhës, deri në largimin nga pushteti të sekretarit të partisë së tij, në 2013, Shqipërisë nuk i është rritur asnjë megavat kapacitet prodhimi. Asnjë megavat kapacitet prodhimi! Po kanë ndodhur; e para shkatërrimi total i sistemit të shpërndarjes.
E dyta, privatizimi kriminal i 4 hidrocentraleve të ndërtuara funksionale, Shkopeti, Ulza, Bistrica 1, Bistrica 2 si kthim TVSH-je. Në qoftë se, duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin se krimin mesa duket nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund përderisa nuk kanë fuqi të ngrenë akuzë për 21 janarin, le të shkojnë dhe të marrin dosjen e këtyre 4 veprave të ndërtuara nga populli dhe që i takonin vetëm popullit dhe ju dhanë një kompanie që nuk i kthehej TVSH-ja, i llogaritën TVSH-në, thanë TVSH-në s’ja u kthejmë po merrni këto hidrocentralet dhe këta janë sot ata që vijnë vërdallë si qentë e pazarit, me flakë nëpër duar dhe me llapën jashtë. Sot energjia e rinovueshme përbën 44% të miksit total të energjisë në vend.
Politikat e vetëprodhimit kanë nxitur rreth 400 megavat kapacitete fotovoltaike për bizneset dhe familjet në vetëm 3 vite. Është përmbyllur dhe reforma për liberalizimin e tregut të energjisë dhe ndarjes e funksionit të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes sipas standardeve të Bashkimit Europian. Të gjitha këto kanë ndodhur në këto vite nën drejtimin e atij njeriu që ka mbuluar ato 2 sektorë. Është derregulluar pjesërisht tregu i furnizimit me energji ku klientë me tension të mesëm dhe të lartë operojnë në tregun e lirë.
Shqipëria ka përballuar krizën globale të energjisë pa e rritur çmimin për konsumatorët familjarë dhe këtë nuk e them unë më, e thotë OECD-ja. Në vlerësimet e OECD-së shënohet se Shqipëria është një vend në Europë që e përballoi krizën pa rritur çmimin e energjisë. Për herë të parë dhe i vetmi vend në Europë, Shqipëria uli çmimin e energjisë për familjarët me 10%. Gjejeni një vend tjetër ku është ulur çmimi i energjisë dhe mund të diskutohet ulja e çmimit të energjisë. Programet për eficencën energjetike kanë mbështetur 4 mijë familje deri tani dhe do vazhdojnë të mbështesin të tjera.
Është krijuar bursa shqiptare e energjisë elektrike nga operatorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, ku volumet sot krahasuar me ditën e krijimit 2024, janë rritur me thuajse 50%. Është forcuar integrimi rajonal përmes projekteve të interkonjeksionit me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën dhe aktualisht po punohet për të trefishuar kapacitetet me Greqinë si dhe për të ndërtuar linjën e transmetimit me Italinë.
Po zbatohen projektet për të rehabilituar kaskadën e Drinit dhe për të modernizuar asetet ekzistuese. Investimet e KESH-it drejtpërdrejt përfshijnë 75 megavat kapacitet fotovoltaik, 110 megavat termik dhe projektin “Pump storage” me rreth 300 megavat, ndërkohë përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare, veçanërisht me Masdarin e Emirateve të Bashkuara, do të fillojë gjenerimi i kapaciteteve të reja duke filluar nga parku fotovoltaik i Tragjasit 120 megavat.
Kanë nisur projektet për infrastrukturën e automjeteve elektrike. Projekti NUR në bashkëpunim me “Socarin” do të mundësojë përdorimin e gazit natyror në Shqipëri si një burim energjie, i cili rrit sigurinë e furnizimit dhe sigurinë energjetike në vend, ndërsa marrëveshja që përmenda, ajo trilateralja me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara për transmetimin nënujor të energjisë, do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion të ri strategjik edhe në këtë fushë dhe e fundit që kam, është mot a mot nga Ëorld Economic Forum, Shqipëria renditet në krye të klasifikimit për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik.
Nuk e lë dot ujin pa e sjellë këtu, sepse reforma e ujit ka marrë tanimë një pamje të qartë për ku po shkojmë. Në 2022-shin u përmbyll faza e parë e reformës, rajonalizuam shoqëritë, i reduktuam nga 58 në 14 që të rrisnim performancën financiare të sektorit, në 2024 nisëm për herë të parë subvencionimin e ujit për kategori të caktuara të klientëve më vunerabël. Kemi zhvilluar sistemet digjitale për monitorimin e burimeve ujore dhe depove, si dhe përfunduar një projekt për digjitalizimin e shërbimeve për qytetarët.
Janë realizuar mbi 35 miliardë lekë investime në këtë sektor. Furnizimi në 24 orë është arritur në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale; arkëtimet kanë shkuar në një nivel rekord me 11.2 miliardë lekë në 2024, rritje me 13% ndërkohë që pagesa e faturave të energjisë nga shoqëritë e ujësjellësit që nuk paguanin energjinë ka arritur në 93%.
Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë arritur të mbulojnë kostot e operimit, diçka që nuk ndodhte më parë dhe të mirëmbajtjes, duke treguar që janë shëndoshur financiarisht në pikën kur mund të kalojmë në fazën tjetër të reformës; kanë përfunduar mbi 200 projekte për rindërtimin dhe ndërtimin e ujësjellësve në këto vite, rrjetesh kanalizimi, impiantesh trajtimi të shpërndare në të gjitha qarqet. Janë 80 kantiere në proces.
Tani, unë jam i bindur se kjo pasqyrë faktesh dhe shifrash, sa kokëforta aq edhe domethënëse nga dy sektorët strategjikë që Belinda Balluku ka drejtuar si titullar politik i tyre, do të gjuhet dhe do të pështyhet nga tërë lukunia e pazarit të tenxhereve politike dhe mediatike si të ishte një fletë lavdërimi me fotografinë e saj.
Por faktet janë fakte dhe asgjë nuk i ndryshon dot ndërkohë që për mua, për ne këto nuk janë faktet pafajësisë apo të amnistisë për çfarëdo faji mund të ketë bërë Belinda, të cilin sidoqoftë nuk përcaktojnë dot as një prokuror, as dy uturakë mediatike “qimbellinjsh”, që mbledhin e hedhin jashtënxjerrjet e urrejtjes ndaj nesh, duke pastruar para dhe duke bërë evazion fiskal nën sytë e mbyllur të Prokurorisë që i ka dosjet për të dyja këto akuza të depozituara institucionalisht nga tatimet e Republikës së Shqipërisë, por tatimet e Republikës së Shqipërisë janë të Republikës, prandaj nuk janë aq të rëndësishme sesa janë “qimbellinjtë” që janë të hurit dhe të litarit dhe nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë. Atë fajësinë ose pafajësinë e përcakton vetëm procesi gjyqësor, ndërsa pasqyra e fakteve të një pune kolosale nuk i takon kurrsesi një individi thjesht me një rol të pamohueshëm në të gjithë zinxhirin e arritjeve në dy sektorë kaq të rëndësishëm, por të gjithë atyre që kanë patur një rol për të luajtur nga skuadra e qeverisë tek ajo e Ministrisë së Infrastrukturës, duke filluar nga Sindi 32 kile që na doli dhe njeri për t’u kontrolluar shtëpia në 6 të mëngjesit deri tek i fundit, bashkë më drejtuesit dhe ekipet e institucioneve dhe ndërmarrje të varësisë, pa harruar padyshim dhe deputetet e komisioneve të lidhura me ata sektorë si edhe mbështetjen vendimtare që grupi socialist i ka dhënë të gjitha reformave të bëra dhe për këto fakte, për këto arritje, për të gjitha përpjekjet dhe mundin që është dashur deri këtu, që të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre, përfshirë patjetër edhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë si përgjegjëse për dy sektorët, meritojnë vetëm respekt.
Ndërsa, të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, me kushtin që të mos jenë pjesë e turmës së qorrave dhe të shurdheve, me molotovë në gojë dhe në duar, por që mund të jenë mbështetës tanët, siç mund të mos jenë mbështetës tanët dhe që sido qofshin, e kanë gjykuar tanimë pa gjyq, dënuar pa i dhënë as të drejtën të mbrohet në gjykatë për çka akuzohet dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, pa pritur as të hapet dera e sallës së gjyqit për të nisur procesin, u them që t’i bëjnë vetes një pyetje. Ku ndryshojmë ne, që të gjithë ne sot, apo të paktën ku duhet të ndryshojmë ne, shqiptarët e sotëm, pavarësisht bindjeve dhe simpative tona politike apo njerëzore, nga ata që dje e deshën me doemos të pushkatuar gjyshin e saj apo nga ata që regjimi komunist i gjyshit të saj, i deshi medoemos të pushkatuar, të burgosur, të syrgjynosur pasi ua bëri fillimisht gjyqin në gazetë, në radio, në televizion dhe i dënoi në emër të popullit, pa u dhënë as të drejtën të mbrohen në sytë e popullit? Kjo nuk është një pyetje që unë e bëj sot për të mbrojtur Belinda Balllukun nga e vërteta që i takon vetëm procesit mes saj dhe drejtësisë, sepse unë nuk jam avokati i askujt këtu, përballë një akuze të ngritur nga Prokuroria, ndaj kujtdo qoftë këtu brenda apo pranë nesh.
Kjo është një pyetje, të cilën unë e bëj sot për të mbrojtur të vërtetën e madhe që i takon vetëm demokracisë nga të gjithë abuzuesit e saj sepse unë jam kryeministri i këtij vendi, përballë një sfide historike të marrë përsipër nga Partia Socialiste dhe nga unë vetë si udhëheqësi i saj.
Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe si vijë e prerë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit.
Ndërsa sfida historike e kësaj partie, është mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë, në radhë të parë nga tundimi ynë i natyrshëm për t’iu kundërvënë drejtësisë në çdo rast kur drejtësia tanimë e pavarur falë vullnetit tonë patriotik dhe europian, shfaqet haptazi e njëanshme dhe jo profesionale, duke goditur arbitrarisht dhe duke përdorur “tenxheret politike dhe mediatike’’ për të fituar në mexhelisin e gjyqit popullor përpara sesa të fillojë gjyqi ligjor. Edhe rasti që po diskutojmë, aktualisht është i tillë.
Fatkeqësisht nuk është rasti i parë, po fatmirësisht nuk është as rasti më i vështirë, sepse ndryshe nga sa ka ndodhur për shembull, me kryetarin e bashkisë së Tiranës, prezumimi i pafajësisë së të cilit nuk ka ekzistuar as përpara se ai të merrej për herë të parë në pyetje dhe gjyqi mediatik ndaj të cilit, ishte një tjetër masakër gurësh dhe pështymash, me libër shtëpie e deri për Mesjetën, jo për një shoqëri europiane.
Në këtë rast, thashë fatmirësisht sepse vjen tek ne, na jep ne Kushtetuta të drejtën të gjykojmë mbi dëshirën, nevojën, argumentet e prokurorit për të kërkuar një arrest pa gjyq, se kjo është ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët për të kuptuar pozicionin tonë, pozicionin tim. Arrest pa gjyq! Asgjë më shumë, asgjë më pak. Dhe kështu na jep Kushtetuta mundësinë që as mos e humbim nga sytë, as të mos kemi mundësi ta ndihmojmë viktimën më të madhe deri më sot të reformës në drejtësi. E dini kush është viktima më e madhe deri më sot e reformës në drejtësi? Parimi i prezumimit të pafajësisë!
Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën e arrestit për Belinda Ballukut me kartonin që na i kanë dhënë socialistët dhe mbështetësit tanë përfshirë dhe ata të kryeqytetit të socialisteve në Fier, na duhet të kemi të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Nuk po them të kemi skenë krimi, të kemi kushte flagrance apo të kemi qoftë dhe një provë bindëse për tentativë arratisje apo prishje të provave të cilat janë normalisht arsye si “sine qua non” për paraburgimin sepse sjellin një lëndim relativ të detyruar të prezumimit të pafajësisë, por po them të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë dhe në kujtesën time qysh prej reformës në drejtësi ne kemi votuar për dy arreste, njëri për shkelje të përsëritur të vendimit të Gjykatës, pra një votim automatik pa nevojë për ndonjë diskutim, tjetri për plot të zeza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, gjëra që na krijuan bindje që kërkesa e prokurorit ishte e përligjur. Në këtë rast s’kemi asgjë nga këto.
Ndërkohë, unë kam dhe një problem tjetër, materiali shumë voluminoz që e shoqëron kërkesën siç u tha dhe nga prokurori, 16 mijë faqe është në fakt tregues i dobësisë së madhe që ka kërkesa sepse ato 16 mijë faqe janë një kolpo e bukur propagandistike për t’ju çuar fjalë gjithë shqiptarëve të etur për drejtësi që janë 16 mijë faqe me vjedhje. Në fakt ato janë studime, janë projektime, janë prokurime, janë vendime, janë urdhëresa, janë arkiva e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë periudhës së drejtimit të Belinda Ballukut, e marrë me kamion dhe e çuar për tu futur në dosje, një dosje që nëse përbën provë për diçka është prova më fortë e punës së madhe serioze së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të tjerat janë dokrra.
Unë nuk jam ndonjë njohës i procedurave të Kuvendit, por personalisht ja kam thënë dhe shokëve të Këshillit të Mandateve, po të isha një nga ata unë do i ktheja mbrapsht ato 16 mijë faqet, si një qasje jo serioze, për mua ofenduese, por unë mbase ofendohem lehtë, e përfaqësuesit të pushtetit të pavarur gjyqësor ndaj përfaqësisë se pushtetit të pavarur legjislativ dhe pikërisht si iluzion optik. I mbani mend kur keni qenë fëmijë ato pasqyrat e thyera që kapnin diellin dhe ia përplasnin syve dikujt, një gjë e vogël dhe dukej sikur të vinte tërë dielli përballë? Ashtu janë ato 16 mijë faqe.
Ulsi Manja më ka shpjeguar një herë fenomenin e volumeve të madh të kërkesave të prokurorëve me fjalët e ndjese pastë Stavri Çeços, profesor i nderuar i Fakultetit të Drejtësisë i cili thoshte: “kur s’ka prova bindëse shkruhet gjatë se flet prokurori, kur ka prova bindëse shkruhet shkurt se flasin provat”, por më e renda sipas meje në orvatjen e prokurorit pranë Kuvendit është një diçka tjetër: paraqitja e një incizimi të një bisede mes një të pandehure me një bashkëbiseduese ku e pandehura, sipas prokurorit na qenkësh kërcënuar dhe ku sipas shokëve të Këshillit të Mandateve në atë proces verbal nuk përmendet as gjëkundi në atë bisedë Belinda, ministrja, titullarja apo ndonjë gjë që duket si kërcënim real.
Tani besojeni ose jo, unë vet as nuk e kam dëgjuar as nuk kam ndërmend ta dëgjoj këtë kërcënim të incizuar, apo të lexoj proces verbalin, i kam tmerr këto forma, por drejtësia ka detyrën e vet t’i përdori, që e paska shtyrë prokurorin të marrë gjithë atë të përpjetë dhe të vijë të kërkojë nga Parlamenti i Shqipërisë arrestimin e një deputeteje e cila, një kujtesë e vogël këtu është prind i vetëm i një vajze minorene, nuk po marr fare as për bazë faktin që këtë kërcënimin prokurori e kishte apo jo? E kishte edhe përpara sesa ta pezullonte ministren. Ndërkohë që e nxori kur ra masa e pezullimit duke e përdorur si rrethanë rënduese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turravrap i cili më shumë sesa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Gjykata Kushtetuese, por nejse.
Unë nuk po them fare as që një thënie e një të pandehuri në të njëjtin procedim nuk ka vlerën e dëshmisë dhe thëniet e tij merren me rezervë, pasi nuk mund të konsiderohen si provë në kuptimin që ka prova në kodin penal dhe këtë e thotë kodi, nuk e them unë, por nuk e quaj. Unë po e zë tani se e pandehura i thotë bashkëbisedueses në telefon: “Belinda Balluku personalisht më ka lidhur pas karriges, më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras po nuk the kështu apo po nuk bëre kështu”. Unë po e marr që prokuroret kanë sjellë këtë. Tani a ka njeri të ma tregojë mua si mund të vihet në Kuvendin e Shqipërisë me kaq? Me një muhabet të tillë telefoni pa bërë asnjë ballafaqim, pa bërë asnjë kryqëzim dëshmish, pa bërë asnjë verifikim ku, kur ndodhi kjo thagmë, sado në mënyrë të tmerrshme të përshkruhet ajo në një bisedë telefonike mes dy grash ose burrash se burrat janë më të këqij se gratë kur flasin në telefon. Aq më tepër një i pandehur me një tjetër. Si u merrka mbrapa hekurave kaq kollaj një njeri? Se folën dy veta në telefon dhe kjo është një provë e re që s’është as e re. Dhe kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk në Kuvendin e Shqipërisë për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur shtatë pashë jo nën dhe por në llum!
Po një njeri i thjeshtë, një njeri i pambrojtur, një njeri që i “ngec sharra në gozhdë” me kushëririn e një prokurori, për shembull, e parafytyroni ju si mund ta hajë fletën e arrestit surratit me një logjikë rrafsh si kjo dhe në fakt, kur sheh këtë, aty e kupton konkretisht se si e hanë shumë njerëz në Shqipëri dhe se si për faqen e zezë të autorëve të kësisoj “përplasjesh turive” të fletëve të arrestit, Shqipëria është bërë delja e zezë e Këshillit të Europës. Më shumë të burgosur pa gjyq, të cilët hanë e pinë me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që mund të jenë atje komplet të pafajshëm, jetojnë pra në kurriz të të tjerëve, ndërkohë që mund të ishin jashtë dhe të bënin punë dhe të mbanin veten dhe familjen, se sa të burgosur me gjyq. 58% janë kështu. “Hajde ta fusim njëherë, se na ka dalë një incizim, se na ka ardhur një muhabet, se kemi parë ca mesazhe.
Ku jemi këtu ne? Po ça është një njeri i zgjedhur nga populli apo një drejtues publik? Kokë për t’u marrë si trofe në pjatën e pazarit dhe për t’u shëtitur në pazar në emër të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit, pasi është sakatuar dhe zhgaravitur paraprakisht?
Grupi i strukturuar kriminal i tha gjykatësja prokurorit për Ilir Beqajn, arbitri. Pra, lojtari përballë pretendon që ishte gol, arbitri thotë: -Nuk ishte një gol, ishin dy gola dhe “VAR-i”, Gjykata e Apelit thotë ishin tre gola. Ça drejtësi është kjo? Ça gjykatësish janë këta?
Ra grupi i strukturuar, nuk është ekzistent. Atëherë, po Ilir Beqja? S’kam folur ndonjëherë për të, duke respektuar vijën e kuqe, po tani që ka një vendim mbasi u ngrit dhe u ul si organizatori i një grupi të strukturuar në të 700 tenxheret politike dhe mediatike, s’paska pas grup strukturuar. Në të gjithë botën normale, prokurori kërkon, gjykatësi frenon.
Këtu prokurori kërkon, gjykatësi vrapon. Po në emrin tonë, jo! Me votën tonë, jo!
Herë tjetër, kur të vijnë në Kuvend për të kërkuar jo imunitetin, se dhe ky është një keqkuptim i madh. Nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj hetimit, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj përgjimit, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj procesit penal, për askënd nga ne që jemi këtu. Nuk ekziston imuniteti në Shqipëri, siç e kanë në Gjermani, siç e kanë në Itali, siç e kanë në Francë, siç e kanë në thuajse të gjitha vendet e Bashkimit Europian, që nuk mundet dot të guxosh ta zësh me gojë emrin e një deputeti, jo më të fillosh hetim pa shkuar njëherë në Parlament, e të thuash, “a më lejoni mua të merrem me këtë”?
Në Shqipëri, ne nuk e kemi, e kemi hequr me konsensus, mos gabohem në 2012.
Ne kemi vetëm kufizimin ose jo të lirisë, pra një person hetohet në gjendje të lirë apo një person çohet në burg me votën tonë. Dhe ne të ngremë dorën për të çuar në burg një deputet me këto argumenta. Po ça jemi ne, bashkautor në krijimin e popullit të të paraburgosurve në Shqipëri dhe kur të vijnë për të kërkuar heqjen e lirisë, herë tjetër, Prokurorët duhet të vijnë të armatosur me prova dhe të përgatitur, siç erdhën në dy rastet e mëparshme. Për një rast kishin një provë që s’kishin ça thoshe fare, sepse deputeti nuk zbatonte vendimin e Gjykatës në mënyrë të përsëritur, për një rast tjetër kishin një mal me argumenta. Po t’i vish Kuvendit me një procesverbalin e një incizimi qesharak, një grua me dy gra? Për të legjitimuar kërkesë ekstreme, arrest pa gjyq, duke na vënë në pozitë absurde ne, shumicën socialiste që i kemi dhënë shpirtin betejës për reformën e drejtësisë, po i kemi vënë në dispozicion edhe lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni ç’keni për të bërë!
Ku është parë kjo forcë politike në historinë e Europës? Të Europës?
Hapini gazetat, lexoni ça thotë motra ime atje për gjykatësit dhe prokurorët, është vend i BE-së. Ama, dinjiteti i Parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë gjallë, Nuk është me dorën tonë. Pastaj se ç’bëjnë 700 tenxheret për ne, ne s’e frenojmë dot, se s’kemi ç’a i bëjmë. Jemi vend i lirë, dekriminalizuam edhe shpifjen për tenxheret. Apo jo, Toni Gogu me Majlinda Dhukën.
Tani unë e di shumë mirë që do thonë, ç’nuk do thonë prapë, po ata kurrë nuk kanë lënë dhe nuk do lënë gjë pa thënë në të gjitha rastet, po ky është një qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest të një deputeteje dhe është po aq parimor dhe i domosdoshëm sot, sa ç’është edhe një qëndrim paralel i prerë në mbështetje të plotë drejtësisë për të hetuar, gjykuar, vendosur e pa trysnuar nga pushteti ekzekutiv apo shumica parlamentare.
Mosdhënia e lejes për arrest nuk është trysni, është thjeshtë kryerja e detyrës tonë. Vini të na kërkoni këtë, nuk keni kushtet për të pasur pranimin tonë. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun dhe le ta ulin në gjyq për akuzën e pa barazisë në tendera të para 6 viteve, për të cilën i kanë në dispozicion të tëra çfarë u duhet, por të mos fyejnë inteligjencën tonë duke na thënë që ajo rrezikon t’iu prishë provat. Provat s’ua rrezikonte as kur ishte ministre, se provat janë të para gjashtë viteve, sot që është thjesht deputete dhe as që bëhet fjalë. Sepse po të shikosh gjithë kërkesën, ajo është kryekëput kërkesë që lidhet me rolin e ministres, në mos gabohem.
Pastaj gjykata të vendosë si ta shohë të arsyeshme, është absolutisht, pushtet i pavarur. Ky është pozicioni ynë, pikë!
Ideja se hajt më këta janë gjithë njësoj, edhe po s’pati prova për këtë, që po themi, kushedi sa të tjera kanë bërë që ne si dimë, prandaj, kur bie lapsi, le të bjerë. E pastaj, gjenerali, oficeri, ushtari, kush të dalë, mjafton që të jetë i frontit armik. Për ata që merren politikë, fronti armik është partia tjetër, për ata të tjerët që s’merren politikë, fronti armik është e gjithë politika. Po kjo është një ide që e ushqen ose deformimi nga komunizmi në trurin e më të vjetërve ose jehona e mllefit të përgjithshëm në boshllëkun që ka truri i më të rinjve. Është një zonë atje që jehon, kthehet zëri mbrapsht.
Po mua nuk më intereson fare çfarë thonë apo do thonë ata që s’duan apo që më duan të vdekur mua bashkë me ju dhe Partinë Socialiste. U bë kohë që më ngjallin vetëm keqardhje për njerëzit që i dëgjojnë akoma, po më shumë akoma më ngjallin keqardhje për tokën që detyrohet t’i mbajë mbi shpinë.
Kur shoh Bulevardin çfarë mban, e shoh me keqardhje tokën ku janë shtruar ato pllaka, por “C’est la vie”.
Jua kam thënë dhe herë tjetër, unë nuk kam më asgjë për t’i provuar vetes sime. Kam hequr çdo lloj meraku që ka normalisht njeriu, e kam sprovuar veten në çdo nivel, qoftë si njeri në arenën politike këtu, qoftë si shqiptar në arenën ndërkombëtare. Këtu jam akoma për të dhënë gjithçka që kam brenda vetes, që bashkë me ju të mos lejoj që Shqipëria të humbasë mundësinë e jashtëzakonshme historike të cilën e kemi krijuar me shumë mund, me shumë durim, por dhe na është krijuar nga rrethanat e reja gjeopolitike të kontinentit, për tu bërë brenda kësaj dekade, vend anëtar i Bashkimit Europian. Duan apo s’duan, ata që s’duan, ne po bëjmë histori!
Shqipëria e sotme është një Shqipëri tjetër nga ajo e një dekade më parë, prandaj është tejet e rëndësishme që të mos e humbin për asnjë çast nga sytë këtë të vërtetë dhe ne nuk na lejohet të biem pre e presionit të përditshëm të 700 tenxhereve, por jemi të detyruar ta bëjmë historinë deri në fund me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj është tejet e rëndësishme po ashtu që të mos e harrojmë për asnjë çast edhe të vërtetën që pa Partinë Socialiste si një skuadër në formë që duhet të jetë në formë, për çdo ndeshje, si skuadër, me strategji të qartë, me angazhim të madh kolektiv, me disiplinë të fortë në udhëheqjen e vendit, Shqipëria jo që nuk e arrin dot majën për ku po ngjitet hap pas hapi, por mund të kthehet mbrapa sa hap e mbyll sytë. Shumica dërmuese e shqiptarëve e dinë shumë mirë këtë, prandaj na votojnë masivisht, jo se nuk i shohin të metat tona, jo se na i falin, por i gëlltisin gabimet tona, por ama dinë këtë, pavarësisht sesi e keq lexojnë votën e tyre, gjysmë analfabetët politikë të frontit të kundërshtarëve tanë të mos o zotshëm.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve dinë shumë mirë dhe një gjë tjetër, se ne dhe vetëm ne jemi garantët e pavarësisë së drejtësisë dhe edhe sot konkretisht me mënyrën si po i qasemi kërkesës për të autorizuar arrestin e një deputeteje në po e provojmë katërcipërisht edhe këtë. Po, katërcipërisht sepse unë fola gjatë deri këtu, por as ju dhe askush që ka arritur të dëgjojë ato që kam thënë deri tani, jo ata që ka dashur vetë të dëgjojë, nuk keni dëgjuar asnjë llaf që të lëndojë autoritetin e prokurorit, që të hedhë poshtë motivin e hetimit, që të bëjë avokatinë e Belinda Ballukut lidhur me çështjen dhe lërë pastaj që të angazhojë këtë fuqi të madhe që merr përpara të madh e të vogël, mjafton ta vendosë, për t’i vendosur përballë prokurorëve një mur me presion. Zero! Sepse unë e respektoj plotësisht pavarësinë e prokurorit, të drejtën e Prokurorisë që të hetojë edhe një bashkëpunëtore të ngushtë, si dhe respektoj detyrën time që në asnjë mënyrë të mos bëhem avokati i saj.
Kështu që, unë e falënderoj sot Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah, vetëm avokatët e saj dhe i kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të tre dorëheqjeve të veta, të cilat pavarësisht interesit të saj apo edhe pikëpamjes së disa shokëve këtu, për të lehtësuar presionin mbi të apo mbi ne, i kam refuzuar pikërisht dhe vetëm se pse drejtësia, pushteti i pavarur gjyqësor u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurt që po e mësova, do t’ua tregoj, në territorin e pavarësisë së pushtetit të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo për mua ishte dhe do të jetë e patolerueshme sa të jem unë këtu në këtë detyrë.
Të dashur deputetë, deputete besoj isha po aq i qartë sa ç’është i qartë dhe raporti i Këshillit të Mandateve shkruar nga pala jonë, por besoj se dhe në raportin tjetër, të palës tjetër, i keni të gjitha argumentet pse kërkesa rrëzohet.
Faleminderit!

