Në çdo shtet demokratik, salla e gjyqit nuk është thjesht një hapësirë fizike, ajo është hapësira e debatit, e kontradiktoritetit dhe e përballjes së argumenteve. Është skena ku Republika, dëgjon qytetarët e saj dhe u përgjigjet atyre, me qetësi dhe autoritet. Por mënyra se si kjo skenë është ndërtuar, kush qëndron ku, si dhe në çfarë pozicioni, nuk është neutrale. Ajo është gjuha me të cilën shteti u flet qytetarëve të vet; shprehja e forcës së pushtetit shtrëngues. Ndaj, kafazi i xhamit në sallën e gjyqit nuk është një detaj teknik, është një deklaratë pushteti, mesazh i qartë ku i pandehuri nuk trajtohet si subjekt i barabartë i procesit, por si një “target” procedural i paracaktuar.
Që prej viteve ’60 dhe ’70, në Evropë, juristë, akademikë dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë denoncuar përdorimin e “dock”-ut. Vendosjen e të pandehurit në një hapësirë të veçuar, zakonisht në fund ose në anë të sallës së gjyqit. Argumenti është thelbësor: izolimi fizik prodhon izolim procedural. Sot, forma moderne e këtij izolimi është kutia e mbyllur prej xhami një kafaz i hijshëm, i sofistikuar, “evropian” në pamje, por me të njëjtin efekt: një “dritare”, që e nxjerr të pandehurin jashtë procesit. Kjo formë organizimi nuk e nxit pjesëmarrjen e të pandehurit; përkundrazi, i sugjeron atij se pritet të qëndrojë i heshtur, i përmbajtur, pasiv, jo i barabartë me prokurorinë, por spektator i fatit të vet.
Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk flet për një proces “formal”, por për një proces real, të drejtë dhe të barabartë, të ndërtuar mbi parimin e kontradiktoritetit. Një proces ku i pandehuri kupton qartë çfarë ndodh, komunikon lirisht, merr pjesë efektivisht në gjykim dhe ndihet i qetë e i barabartë. Por mbi të gjitha, ai trajtohet jo vetëm si i pafajshëm, por edhe si kontrollues i veprimeve të vetë pushtetit të akuzës. Sepse në një sistem akuzator, jo inkuzitor, dyshimi fillestar nuk rëndon mbi qytetarin, por mbi forcën e prokurorisë, e cila duhet të jetë nën monitorim të rreptë gjyqësor përpara se të gjykohet mbi faktet.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka bërë të qartë se organizimi i sallës së gjyqit nuk është çështje teknike, por element që mund të cenojë vetë thelbin e gjykimit të drejtë. Gjykata theksoi se procedurat duhet të zhvillohen në mënyrë që të ulin ndjenjën e intimidimit dhe frenimit, jo ta thellojnë atë. Në Svinarenko & Slyadnev (2014), u pranua se kafazet dhe ndarjet prej xhami ngrejnë probleme serioze sipas nenit 6 të Konventës. Ndërsa në Mariya Alekhina v. Russia (2018), përdorimi i kafazit të xhamit, i ashtuquajturi “akuarium” u cilësua i pajustifikuar, rutinor dhe degradues, pasi dëmtoi drejtësinë e procesit, pengoi komunikimin efektiv me avokatët dhe cenoi dinjitetin e të pandehurve, në shkelje të nenit 3.
Mesazhi është i qartë: një kafaz i artë mbetet një kafaz.
Një nga pasojat e kafazit të xhamit është ajo pamundësia reale për të komunikuar me avokatin. I pandehuri nuk mund të flasë, të pëshpërisë apo të reagojë në kohë reale ndaj një pyetjeje vendimtare. Ai troket në xham, bën shenja me duar, shkruan letra që kalojnë përmes forcave të sigurisë. Shpesh, vetëm ndërhyrja e gjyqtarit e bën të mundur komunikimin, duke e kthyer një të drejtë themelore nga detyrim kushtetues në akt tolerance procedurale. Siç e ka përshkruar me sarkazëm një praktikant britanik, i pandehuri detyrohet të zgjedhë mes heshtjes dhe shpresës për më të mirën, ose krijimit të një ndërprerjeje të tillë sa gjyqtari, i bezdisur, detyrohet të thërrasë: “Klienti juaj do t’ju thotë diçka.”
Kafazi që po burgos drejtësinë
Në këtë kontekst, kundërshtimi i kafazit të xhamit nga Erion Veliaj, Ilir Meta apo nga çdo qytetar që trajtohet në të njëjtën mënyrë nuk është kërkesë për trajtim të veçantë. Është kërkesë për trajtim kushtetues. Ata nuk kërkojnë dalje nga gjykimi, kërkojnë pjesëmarrje reale dhe dinjitoze në proces, ashtu siç i takon një qytetari të Republikës. Nuk po kërkojnë imunitet as favor, kërkojnë diçka shumë bazike: të jenë të pranishëm në sallë si subjekte të procesit, jo si objekte sigurie apo “target” i paragjykuar i akuzës.
Pyetja në këtë pike nuk është kush janë ata, as çfarë përfaqësojnë, por çfarë drejtësie duam të ndërtojmë? Një drejtësi që flet me gjuhën e frikës, apo një drejtësi që flet me gjuhën e Republikës? Nëse një gjykatë ndihet më e sigurt kur i pandehuri është pas xhamit, problemi nuk është i pandehuri, por autoriteti i drejtësisë vetë. Sepse drejtësia evropiane nuk ka frikë nga qytetari përballë saj, ajo i trembet vetëm padrejtësisë. Ndaj, kafazi i xhamit nuk është standard evropian, por një relike e një kulture penale që i trembet pjesëmarrjes, dialogut, debatit dhe barazisë së palëve në proces; një drejtësi që përbuz qytetarin dhe i buzëqesh akuzës.
Republika nuk gjykon nga pas xhamit. Ajo gjykon ballë për ballë, me dinjitet, pa paragjykim, me ftohtësinë e akullt të arsyes dhe me vendosmërinë e gurtë të së drejtës.
P.S.
Deri kur organet e qeverisëse të gjyqësorit, kaq të ndjeshme ndaj fjalës së lirë, veçanërisht kur ajo vjen nga politika, do të kenë të njëjtin shqetësim e të reflektojnë mbi këtë aspekt thelbësor të të drejtave të njeriut: arkitekturën e sallave të gjyqit që ato vetë miratojnë dhe modelojnë?? /TemA

