HomeHumor

Karmina ka rezerva për fjalimin e Doktorit kundër parfumeve

Karmina ka rezerva për fjalimin e Doktorit kundër parfumeve

Doktori sot doli më herët nga salla e parlamentit, pasi, siç tha ai, nuk duronte dot aromat e parfumeve dhe rrobat e shtrenjta.

Duke qenë se afër tij zakonisht rri Albana, ajo u ndje në panik nga deklarata e Doktorit dhe menjëherë telefonoi Karminën:

– Na more më qafë, tha Albana.

Unë blej parfume tek ty me shpresë që këtij i është mësuar hunda me ato aroma.

Bile, bleva dhe parfumin “Karmina”.

Ai doli dhe më shau parfumin.

– Mos e ka pasur për parfumin e këtyre grave socialiste, pyeti Karmina?

– Po ku ka gra socialiste afër nesh!

Petro Koçin dhe Erion Braçen kemi në krahë, ku hedhin parfum ata!

Gjiknuri që përdor rri andej nga muri, e di unë!

Unë dhe Elda jemi afër tij.

– Dakord, do flas unë me të, tha Karmina, por duhet t’ia trajtoj me kujdes, se është temë delikate.

– Patjetër… Në fillim sigurohu që s’i ka ngelur qejfi dhe pastaj sqaroje.

– Patjetër.

Pasdite, Karmina shkoi në shtëpinë e Doktorit.

Pasi e përgëzoi për fjalimin, e hapi temën e parfumeve:

– Më ke bërë reklamë sot, tha ajo.

Ato gratë e PD-së i blejnë tek unë parfumet.

– Nuk e kisha për ato, i tha Doktori, e kisha për gratë socialiste.

Me thënë të drejtën, nuk është se më erdhi era parfum, por s’po qëndroja dot, doja të ikja.

Më goditi rëndë kjo vdekja e Sami Repishtit.

– Çfarë parfumi përdorte ai burri?

– Me thënë të drejtën, nuk e di.

Nuk i kam dhënë ndonjëherë dorën, por më trishton shumë kur më vdesin këta që më kritikojnë.

Më humbet motivi për të luftuar.

– D.m.th. nuk ke gjë kundër parfumeve të mia, pyeti Karmina?

T’i them Albanës të vazhdojë ta përdorë?

– Kategorikisht jo, tha Doktori. Aroma e saj më jep energji.