Nga Shpëtim Luku
Me Taulant Ballën nuk më lidh ndonjë marrëdhënie personale. Një përshëndetje formale është e gjitha çfarë kam shkëmbyer me të. Megjithatë, emrin e tij e kam dëgjuar për herë të parë rreth vitit 2005, pak pas zgjedhjeve të asaj vere, kur një biznesmen i njohur librazhdas më rrëfeu historinë e kandidimit të tij. Ishte koha e sistemit mazhoritar, kur disa qindra vota më tepër ose më pak mund të bënin diferencën dhe ku pesha e individit ishte shpesh më vendimtare se vetë flamuri politik.
Sipas këtij rrëfimi, kryetari i asaj kohe i Partisë Socialiste, Fatos Nano, kishte kërkuar një këshillë për një kandidaturë të fortë në zonën e Librazhdit. Biznesmeni nuk u mendua gjatë: përmendi emrin e Taulant Ballës. Nano e njihte nga kabineti i vet, por kishte dyshimet e veta për sfidën zgjedhore. Përgjigjja e biznesmenit ishte lakonike, thuajse profetike: “Nëse do të fitosh në Librazhd, vendos Taulantin.”
Dhe kështu ndodhi. Në zgjedhjet e vitit 2005, Balla fitoi dhe nisi një rrugëtim politik që tashmë ka hyrë në dekadën e tretë. Një rrugëtim i shoqëruar me detyra të rëndësishme: kryetar grupi parlamentar, drejtues politik në disa zona zgjedhore, figurë e spikatur e fushatave. Ai ka fituar jo vetëm në zonën e tij tradicionale, por edhe në ato ku është transferuar, duke treguar se kapitali i tij elektoral nuk është rastësi gjeografike.
Edhe kundërshtarët politikë këtë e dinë. Kujtoj përgjigjen e një ish-deputeti të PD-së, nga vetë Librazhdi, kur e pyeta për pozicionin elektoral të Ballës. “Taulanti e ka mbaruar punën me Librazhdin e Elbasanin, tani është hedhur në Gramsh,” – më tha me një ngjyrim admirimi të pashprehur hapur. Më shumë se një batutë, ajo fjali ishte një pranim i heshtur i shtrirjes së influencës së Ballës.
Megjithatë, ky realitet shpesh mohohet nga kundërshtarët e tij. Disa prej tyre e reduktojnë figurën e tij në një fjalë fyese që fatkeqësisht vazhdon të qarkullojë në diskursin politik shqiptar: “katunar i Librazhdit.” Një etiketime i mjegullt, i varfër, i padenjë që nuk i shërben as debatit, as demokracisë.
E vërteta është se Taulant Balla prej vitesh ushtron profesionin për të cilin është diplomuar: Shkencat Politike. E ka kryer studimin jo në një universitet shqiptar të trazuar nga tranzicioni, por në Rumani, ku – siç ndodh shpesh me shqiptarët jashtë atdheut – “halli” e ka detyruar të mësojë disa gjuhë të huaja. Ndërkohë, testin elektoral, atë që nuk e jep dot asnjë diplomë, e ka kaluar me sukses të përsëritur.
Këtu lind pyetja: çfarë duhet të bëjë më tepër dikush për të merituar deputetllëkun? Në politikë nuk je i detyruar të pëlqehesh nga kundërshtarët. Por së paku pritet që kritika të ketë argument, jo paragjykim, të bazohet te fakti, jo te origjina. Parlamenti shqiptar është ndërtuar pikërisht mbi idenë e përfaqësimit të të gjitha zonave të vendit. Nuk ka arsye që suksesi i dikujt të zbehet me një etiketë gjeografike, sikur vendlindja të ishte njollë, e jo identitet.
Në fund të fundit, as Librazhdi nuk ia shton e as ia heq vlerën një deputeti. Ajo që e përcakton është aftësia për të fituar besimin e njerëzve – dhe këtë, Taulant Balla, me të gjitha të mirat e të metat e tij, e ka fituar me votë. Dhe vota mbetet gjithmonë testi më i mirë.

