HomeAktualitetKronike

Kërkon heqjen e masave të sigurisë, sot seanca në Apelin e GJKKO-së për Ballukun dhe vartësit

Kërkon heqjen e masave të sigurisë, sot seanca në Apelin e GJKKO-së për Ballukun dhe vartësit

Në Apelin e Posaçëm sot në orën 11:00 do të zhvillohet seanca për zv.kryeministren Belinda Balluku dhe vartësit e saj. Balluku ka kërkuar në Apelin e GJKKO-së heqjen e dy masave të sigurisë, atë të pezullimit nga detyra si edhe ndalim e daljes jashtë shtetit.

Kjo seancë zhvillohet në një kohë kur SPAK kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut. Kërkesë kjo e imponuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rikthyer në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Rama, për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes GJKKO-së dhe Këshillit të Ministrave.

Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë për tenderin për Tunelin e Llogarasë me fond limit 190 mln euro. Ndërkohë, SPAK zyrtarisht ka nisur hetimet ndaj saj jo vetëm për lotin 4, por për të 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin janë prokuroruar 450 mln euro.

Ndërkohë, masën e sigurisë e ka ankimuar edhe drejtori i KESH Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Zbutjen e masës së sigurisë arrest shtëpie e ka kërkuar edhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli. Ai akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë.