HomeSport

Klevi Qefalija bën “me zemër” bardheblutë: Tirana mposht 3-2 Dinamon në derbi! Kukësi i prish ëndrrën Vllaznisë

Klevi Qefalija bën “me zemër” bardheblutë: Tirana mposht 3-2 Dinamon në derbi! Kukësi i prish ëndrrën Vllaznisë

Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi sot dy ndeshjet e mbetura për raundin e 28-të. Me fillim nga ora 14:00 Kukësi mposhti 2-0 Vllazninë duke bërë surprizën, me shkodranët që s’mundën të ngjiteshin në kreun e renditjes. Në 17:00 e gjithë vëmendja ishte në “Air Albania” aty ku Tirana fitoi 3-2 me vuajtje ndaj Dinamos në derbi.

Në “Air Albania” Tirana fitoi 3-2 kundër Dinamos jo pa vuajtje. Ish-i i bardhebluve, Klevi Qefalija për pak “ngriu” buzëqeshjen e Tiranës me dopietën që barazoi përkohësisht duelin.

Ndeshja e raundit të 28-të u zhbllokua pas shtatë minutash lojë, me Nikqin që kaloi në epërsi Tiranën. Sërish bardheblutë shënuan me Latifin në minutën e 17-të, teksa u duk se ranë “në gjumë”.

Në pjesën e dytë dopieta e Klevi Qefalisë në minutat 70 dhe 76 vendosi ekuilibrat në 2-2, me festën e Dinamos që zgjati pak pasi Jonuzi riktheu epërsinë e Tiranës me golin e tretë në minutën e 79-të.

Tanimë Tirana me 39 pikë mban vendin e pestë, një më pak se Skënderbeu i “Final 4”. Dinamo mbetet në kuotën e 36 pikëve në vendin e gjashtë.

Derbi mes këtyre skuadrave ishte me raste dhe i denjë për emrat e dy skuadrave që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Erbim Fagu merr fitoren e parë si trajner i Tiranës në Superligë.

Në “Kukës Arena”, vendasit e Bledar Devollit fituan 2-0 ndaj Vllaznisë, duke prishur “ëndrrën” kryesim të shkodranëve. Me suksesin e plotë që vjen për herë të dytë radhazi, Kukësi tanimë hyn në “vallen” e mbijetesës duke e bërë më të fortë garën në zonën e ftohtë të elitës së futbollit shqiptar.

Me 25 pikë, verilindorët afrohen me Erzenin, Teutën dhe Laçin. Nga ana tjetër Vllaznia humbet pas 12 ndeshjesh, gjë që nuk ndodhte prej 2 dhjetorit 2023 (3-0 nga Egnatia). Kështu Vllaznia humbet shansin për kreun e renditjes.