Raporti i fundit i Kongresit Amerikan, i lidhur me Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, vlerëson se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti afatgjatë në rajon janë thelbësore për garantimin e përparimit demokratik dhe ekonomik për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, dokumenti nënvizon se, pavarësisht reformave dhe progresit të arritur vitet e fundit, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit vazhdojnë të përballen me probleme serioze, si varfëria e lartë, korrupsioni dhe dobësitë institucionale, papunësia (përjashto Shqipërinë që ka mungesë të fuqisë punëtore).
Në raportin e Kongresit të SHBA-ve për Shqipërinë, theksohet se vendi ka shënuar përmirësime të ndjeshme në normat demokratike, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, ka regjistruar rritje ekonomike dhe ka forcuar lidhjet strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, raporti paralajmëron se dobësitë institucionale dhe funksionimi problematik i drejtësisë po krijojnë terren për prapakthim demokratik.
Sipas raportit, varfëria dhe mungesa e fuqisë punëtore mbeten në nivele të larta në Shqipëri, pavarësisht progresit të deklaruar.
“Reformat kanë sjellë përparim, por varfëria dhe papunësia vazhdojnë të jenë më të larta në Ballkanin Perëndimor krahasuar me standardet evropiane. Korrupsioni dhe dezinformimi lulëzojnë në mjedise politike të karakterizuara nga kontrolli autokratik ose konflikti partiak”, thuhet në dokument.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet çështjes së sundimit të ligjit. Raporti thekson se korrupsioni, përfshirë edhe në nivelet më të larta politike, mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë.
Kongresi Amerikan shpreh shqetësim se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të përdoret për të anashkaluar procesin e rregullt ligjor dhe parimet themelore demokratike.
Në këtë kontekst përmendet edhe rasti i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili qëndron për muaj të tërë në paraburgim pa një aktakuzë formale. Raporti thekson se ndalimi i zgjatur pa transparencë dhe pa vendim përfundimtar gjyqësor dëmton besueshmërinë e reformës në drejtësi dhe krijon pasiguri për klimën demokratike dhe investimet e huaja. Sipas raportit, raste të tilla përforcojnë perceptimin e një sistemi drejtësie që funksionon, pa pasur mjaftueshëm mekanizma llogaridhënieje.
Kongresi nënvizon se, pa një shtet ligjor funksional dhe të besueshëm, investimet amerikane dhe evropiane në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura dhe shërbimet kritike bëhen më të vështira për t’u financuar, siguruar dhe mbrojtur nga ndikimet e jashtme.

