HomeAktualitetKryesore

KPK shkarkon gjyqtaren Nure Dreni, pjesë e trupës gjykuese të Saimir Tahirit/ probleme me pasurinë

KPK shkarkon gjyqtaren Nure Dreni, pjesë e trupës gjykuese të Saimir Tahirit/ probleme me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtaren Nure Dreni e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mësohet se Komisioni kishte evidentuar pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë nga gjyqtarja Dreni; e cila përbëhet nga një automjet i markës Citroen, një apartament prej 155 m2 në pronësinë e bashkëshortit, një investim prej 5.8 milionë lekësh në bono thesari si dhe një apartament prej 60 m2 në Golem.

Ndërsa në vlerësimin e aftësive profesionale, gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit i kaloi barra e provës për dy vendime gjyqësore dhe iu kërkuan shpjegime mbi disa denoncime të mbërritura në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Sipas relatores Pine, për një çështje të shqyrtuar në vitin 2015 me relatore Nure Drenin, një gjykatë më e lartë kishte konstatuar mungesë arsyetimi në vendimin e Apelit.

Ndërsa çështja e dytë gjyqësore lidhej me uljen e dënimit të një personi të dënuar për trafik narkotikësh, i dënuar me 2.8 vjet burg nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Nure Dreni është gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ajo njihet si gjyqtarja që dha dorëheqjen nga gjykimi i dosjes së anëtarëve të bandës së Emiliano Shullazit, me argumentin se kishte qenë e angazhuar në një proces të mëparshëm ndaj anëtarëve të grupit.

Dreni gjithashtu ka qenë ka qenë edhe pjesë e trupës gjykuese të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, dhe ka pranuar kërkesën e Izet Haxhisë për rishyrtim të dosjes “Hajdari”.

Po ashtu Dreni ishte dhe pjesë e trupës gjykuese në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që do të vendoste fatin e Saimir Tahirit.

Po ashtu Dreni ishte dhe pjesë e trupës gjykuese që riktheu në detyrë Luan Dacin, anëtarin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit, me argumentin se nuk ka kryer falsifikim të dokumenteve, në mosdeklarimin e masës disiplinore të shkarkimit si gjyqtar në vitin 1997.