HomeAktualitet

Krishti u Ngjall! Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkën, Krypeshkop Joani: Bëni paqe në zemrën tuaj, ta përhapim në botë

Krishti u Ngjall! Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkën, Krypeshkop Joani: Bëni paqe në zemrën tuaj, ta përhapim në botë

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ortodoksët ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit.

Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjalla e Krishtit’, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Mijëra besimtarë morën pjesë në meshën solemne, duke ndezur qirinj dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.

“Në kohën që po jetojmë, po përballemi me një formë të re vdekjeje, mpirjen e indiferencës, tharjen shpirtërore të një shoqërie që harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën, na thotë Krishti, nëse humbet shpirtin e tij? Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, i vetmuar, i paplotësuar, i shqetësuar se kurrë”, tha kryepeshkopi Joan.

Atmosfera në këtë natë të veçantë shoqërohet me lutje dhe rituale tradicionale, ndërsa kambanat bien për të shpallur Ngjalljen. Klerikët ortodoksë theksojnë se kjo festë është një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve.

“Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, lakmia dhe egoizimi. Fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh. Bëni paqe në zemrën tuaj. Nuk ka paqe aty ku është e keqja. Le ta përhapim paqen kudo së bashku me lajmin e gëzuar se Krishti u ngjall”, tha kryepeshkopi Joan.

Pas meshës, besimtarët u larguan me qirinj të ndezur në duar, që simbolizon dritën e shpresës për të çuar në shtëpitë e tyre mirësi dhe begati.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.