Adriatik Lapaj, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se të vetëm, as “Shqipëria Bëhet” dhe as Partia Demokratike, nuk e mundin dot Edi Ramën.
“Ka pasur raste që janë falur edhe gjaqet. Nuk e paragjykojmë dot procesin, por ajo që dimë është se qytetarët që janë në hall, që mendojnë se nuk duhet të vidhen më nga Edi Rama, nuk duhet të kenë komplekse për t’u bashkuar në shesh. Ne nuk po bashkohemi me Sali Berishën. Nëse në shesh ka demokratë e socialistë të zhgënjyer, ka njerëz që nuk merren me politikë, simpatizantë të “Shqipëria Bëhet”… kjo duhet të jetë ajo që duhet të ndodhë. Të gjithë duhet të bashkohemi kundër Edi Ramës sepse ne vidhemi. Vidhemi nga Edi Rama dhe njerëzit e tij dhe kjo duhet të marrë fund”, tha Lapaj.
Kur u pyet nëse do i bashkohej protestës së PD-së, Lapaj u përgjigj: “Ne kemi thënë, që pa flamuj partiakë dhe nën flamurin kombëtar, ne jemi të hapur. “Shqipëria Bëhet” nuk e mund dot vetëm Edi Ramën sot, as nesër. PD-ja nuk e mund dot vetëm sot, as nesër. Sepse sistemi që ka ndërtuar ai është i atillë. Ka vetëm një parti që e mund: partia e popullit. Ne mendojmë që bashkimi qytetar duhet të jetë me një forum. Kemi propozuar krijimin e një komiteti për një qeveri tranzitore me mandat 12-mujor. Në këtë komitet duhet të ketë përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, parti politike të përfaqësuara jo në nivel kryetarësh, dhe ky komitet të udhëheqë protestën. Nuk mund të themi që nuk organizohemi dot dhe t’i lëmë këta të na vjedhin”, shtoi Lapaj.

