Atë që nuk mundi dot të bëjë ditën e shtunë në Slalomin gjigant në Semmering të Austrisë, Lara Colturi arrin ta bëjë këtë të dielë teksa i shtoi një tjetër podium karrierës së saj në këtë sezon, këtë radhë në Slalomin Special.Skiatorja kuqezi bëri një garë të shkëlqyer në këtë disiplinë duke u renditur në vendin e tretë me kohën 1 minutë 49 sekonda e 32 të qintat. Më mirë se ajo bënë vetëm Mikaela Shiffrin dhe Camille Rast që u pozicionuan në dy vendet e para.
Në zbritjen e parë, Lara Colturi ishte në kufijtë e perfektes teksa e mbylli këtë fraksion në vendin e dytë me kohën 54.79 sekonda, vetëm 9 të qindtat më shumë se Camille Rast duke lënë pas edhe mbretëreshën e këtij sporti, Mikaela Shiffrin. Edhe në zbritjen e dytë Lara Colturi bëri një paraqitje shumë të mirë teksa shënoi kohën e 5 më të mirë me 54.79 sekonda për të siguruar vendin e tretë në këtë garë pas përfundimit të të dyja zbritjeve.
Vendi i tretë në garën e Slalomit special në garën e Semmering i jep Lara Colturit 60 pikë të tjera për klasifikimin e Kupës së Botës. 19 vjecarja shkon në kuotën e 362 pikëve dhe ngjitet në vendin e 7 të klasifikimit, ndërkohë që në krye vazhdon të jetë Mikaela Shiffrin me 698 pikë, e ndjekur nga Camille Rast me 503 pikë në vendin e dytë, ndërkohe që në vendin e tretë është Alice Robinson me 484 pikë.

