HomeBota

Lavrov “zë ngushtë” perëndimin: Nëse doni paqen pse po dërgoni armë në Ukrainë?

Lavrov “zë ngushtë” perëndimin: Nëse doni paqen pse po dërgoni armë në Ukrainë?

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, u ka kërkuar sërish Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që të ndalojnë furnizimin me armë të Kievit nëse janë “me të vërtetë të interesuar në zgjidhjen e krizës në Ukrainë”.

“Nëse SHBA-të dhe NATO-ja janë vërtet të interesuara për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, atëherë para së gjithash, ata duhet të zgjohen dhe të ndalojnë furnizimin e regjimit të Kievit me armë dhe municione”, tha Sergey Lavrov në një intervistë me agjencinë zyrtare të lajmeve të Kinës Xinhua.

SHBA dhe disa vende evropiane e kanë furnizuar Ukrainën me armë me vlerë miliarda dollarë në luftën e saj kundër agresionit rus.

Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar Kongresit 33 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën.

Moska e ka paralajmëruar vazhdimisht Washingtonin kundër vazhdimit të ndihmës së saj ushtarake për Kievin, duke akuzuar SHBA-të për nxitje të luftës.

Kremlini e kishte quajtur më parë dërgesat e armëve perëndimore në Ukrainë një kërcënim për sigurinë evropiane.

Rusia tha se sanksionet perëndimore dhe dërgesat e armëve në Ukrainë po pengojnë negociatat e paqes.

Lavrov shtoi se bisedimet vazhdojnë, por përparimi është i vështirë.

Po ashtu ai deklaroi se “agjenda” e negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë, ndër të tjera, është heqja e sanksioneve kundër Rusisë.

“Aktualisht, delegacionet ruse dhe ukrainase po diskutojnë çdo ditë një projekt-marrëveshje të mundshme përmes video-konferencës”, theksoi kryediplomati rus.

Sipas tij, ky dokument duhet të përfshijë elementë të tillë të gjendjes pas konfliktit si neutraliteti i përhershëm, statusi jo-bërthamor, i paangazhuar dhe i çmilitarizuar i Ukrainës, si dhe garancitë e sigurisë së saj.

Në agjendë janë edhe çështjet e shkombëtarizimit, njohjes së realiteteve të reja gjeopolitike, heqjes së sanksioneve, statusit të gjuhës ruse e të tjera.