HomeAktualitetDebat

Lobimi në SHBA, 4 të pavërtetat e Sali Berishës që vërtetohen nga kontrata 6 mln dollarëshe

Lobimi në SHBA, 4 të pavërtetat e Sali Berishës që vërtetohen nga kontrata 6 mln dollarëshe

Komentet e sotme të Kryetarit demokrat Sali Berisha për kontratën e lobimit në Shtetet e Bashkuara, nuk shërbyen për të shpërndarë mjegullën rreth saj. Përgjigjet e tij, lanë sërish pikëpyetje mbi të njëjtat pika të errëta që u ngritën që ditën kur ekzistenca e saj doli në dritë. Madje, përpjekjet për të devijuar disa aspekte që janë tërësisht publike, vetëm ngrenë hije të reja dyshimi.

Berisha përsëriti sot se fondacioni “Make Albania Great Again”, i cili ka marrë përsipër pagesën e majme të kontratës, është krijuar nga “patriotë shqiptarë që duan që PD të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA dhe Shqipëria të ketë marrëdhënie shumë të mira”.

Por akti i themelimit të Fondacioni, i bërë publik nga Report TV, dëshmon se në fakt, të vetmit themelues janë anëtarët e familjes Seci: shqiptaro amerikani nga Tropoja, Nuredin Seci, gruaja dhe djali i tij. Nuredin Seci ka dhe të njëjtën adresë me atë të Fondacionit.

Fondacioni është krijuar në ditët e fundit të muajit mars, vetëm një javë para se të firmosej kontrata e lobimit.

Qëllimi i fondacionit, sipas akteve zyrtare amerikane, është “promovimi i të mirës së përbashkët dhe mirëqënie e komunitetit lokal’’ atje, dhe asnjë fjalë jo vetëm për PD-në por as për Shqipërinë.

Zoti Berisha deklaroi se partia e tij nuk është palë kontraktuese, por Fondacioni. “Ne nuk mohojmë qe ne kemi pranuar dhe kemi firmosur të pranojmë shërbimin, por nuk jemi ne palë kontraktuese”, tha zoti Berisha, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse nuk e kishin bërë publike atë. Por në fakt, vetë kontrata dhe aktet e dorëzuara në FARA nga kompania lobuese ofrojnë një tjetër të vërtetë. Fondacioni MAGA në kontratë ka firmosur vetëm si “Garantuesi” i cili do të kryejë dhe pagesën, ndërsa Partia Demokratike, është pala që konsiderohet “Klienti”, nga ana e kompanisë lobuese, dhe kjo evidentohet në disa pjesë të kontratës. Po ashtu dhe në FARA, as që përmendet fondacioni, por vetëm PD.