Një avion amerikan “KC-135” që përdoret për furnizim me karburant është rrëzuar në Irakun perëndimor. Komanda Qendrore e SHBA-ve bën me dije se incidenti nuk ka lidhje zjarrin armiqësor të krijuar në rajon, ndërkohë që po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për 5 ushtarët që ndodheshin në bord.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka njoftuar se po ndërmerr hapa për të lehtësuar më tej sanksionet ndaj naftës ruse pas rritjes së çmimeve për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ky veprim do të lejojë shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës ruse të ngarkuara tashmë në anije deri më 11 prill.
Sekretari i Departamentit të Thesarit, Scott Bessent, tha se kjo ishte një masë e përkohshme për të “promovuar stabilitetin në tregjet globale të energjisë” gjatë luftës.
“Kjo masë afatshkurtër zbatohet vetëm për naftën që është tashmë në tranzit dhe nuk do të ofrojë përfitime të konsiderueshme financiare për qeverinë ruse”, tha Bessent.
Çmimet e naftës u rritën përsëri mbi 100 dollarë për fuçi të enjten, tregjet e aksioneve ranë pasi tre anije të tjera mallrash u goditën në Gjirin Persik dhe udhëheqësi i ri suprem i Iranit u zotua të vazhdojë të bllokojë Ngushticën e Hormuzit – një rrugë kyçe transporti detar përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës botërore.
“Rritja e përkohshme e çmimeve të naftës është një përçarje afatshkurtër dhe e përkohshme që do të rezultojë në një përfitim të madh për kombin dhe ekonominë tonë në planin afatgjatë”, shtoi Bessent.
Ndërkohë një seri shpërthimesh tronditën ndërtesat në Dubai dhe një re e madhe tymi u ngrit mbi një zonë qendrore të qendrës financiare të Lindjes së Mesme. Sirenat u dëgjuan në zonën e Rrugës Sheikh Zayed, autostradës kryesore të qytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Teherani ka kërcënuar të godasë institucionet ekonomike, duke bërë që disa kompani të evakuojnë stafin e tyre. Deri më tani, aeroporti i Dubait, një nga më të mëdhenjtë në botë, është shënjestruar vazhdimisht, si dhe porti dhe pronat luksoze të tij, përfshirë Palm.

