HomeSport

Madonina është kuqezi, Milani fiton derbin e dytë të sezonit me Interin dhe rihap garën për titull

Madonina është kuqezi, Milani fiton derbin e dytë të sezonit me Interin dhe rihap garën për titull

Derby della Madonnina vazhdon të jetë një makth për Interin. Zikaltrit nuk arrijnë të fitojnë në derbi prej shtatë ndeshjesh, që nga koha kur siguruan “yllin e dytë”, ndërsa Milani rikthen besimin për një rikthim të vështirë në garën për titull.

Derbi i Milanos u ngjyros sërish kuqezi, për të pestën herë në dy vitet e fundit. AC Milan fitoi minimalisht 1-0 ndaj Inter Milan, duke ngushtuar diferencën në -7 pikë nga vendi i parë.

Kuqezinjtë e nisën më mirë takimin, ndërsa Interi u shfaq i vakët në minutat e para. Luka Modrić ishte shumë pranë golit që në fillim, por më pas zikaltrit morën disi kontrollin e lojës pa arritur të krijojnë rrezik real.

Rasti më i mirë për Interin erdhi me Henrikh Mkhitaryan, i cili nuk arriti të shënojë dhe u ndëshkua menjëherë. Në minutën e 35-të, Youssouf Fofana shërbeu për Pervis Estupiñán, i cili shpëtoi nga mbulimi i Luis Henrique dhe mposhti Yann Sommer me një goditje të fuqishme për 1-0.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, por Milani ishte pranë golit të dytë. Vendimtar ishte ndërhyrja e Federico Dimarco ndaj Youssouf Fofana dhe Christian Pulisic.

Në pjesën e dytë, Piotr Zieliński vuri në provë Mike Maignan, ndërsa po Federico Dimarco humbi një mundësi të artë për barazim. Trajneri Cristian Chivu u përpoq të ndryshonte ritmin me futjen e Denzel Dumfries, por nuk mundi të llogariste në Hakan Çalhanoğlu dhe Lautaro Martínez, që qëndruan në stol pa u aktivizuar, ndërsa mungonte edhe Marcus Thuram.

Interi nuk arriti të reagojë, ndërsa Milani menaxhoi mirë avantazhin duke mbyllur hapësirat dhe duke e detyruar rivalin në një zotërim topi steril.

Në fund buzëqesh Massimiliano Allegri: Milani fiton 1-0 dhe ngjitet në kuotën e 60 pikëve, vetëm 7 larg kreut. Në një javë ku gara për zonën Champions është rihapur, pas humbjes së Romës, rikthehet në lojë edhe lufta për titullin: Milani shpreson, ndërsa Interi konfirmon vështirësitë në ndeshjet e mëdha.