Një tjetër raport prej 413 faqesh i Kontrollit të Lartë të Shteti konfirmon edhe një herë se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vijon të mbetet një institucion që gjeneron abuzime, skema korruptive, mashtrim dhe pazare me shëndetin e shqiptarëve, pavarësisht arrestimeve të herëpashershme, denoncimeve mediatike, auditimeve të shpeshta të KLSH dhe ndryshimit të drejtorëve, 11 drejtorë në 13 vite.
Skema vijon të mbetet e njëjtë. Kupola e FSDKSH-ja favorizon dhe mbulon abuzimet, kontrabandën dhe mashtrimet e depove farmaceutike dhe farmacive, ndërsa ndajnë bashkë paratë produkt i aktivitetit kriminal në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Sipas KLSH-së, Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit ka shmangur kontrollin dhe dokumentimin e datës së skandencës së ilaçeve në depot farmaceutike, duke krijuar hapësira për mbajtjen dhe tregtimin e barnave të skaduara.
“Nga auditimi i raport kontrolleve të ushtruar në depot farmaceutike nga Drejtoria e Kontrollit, u konstatua se në procesverbalin nr. 2, të hartuar për qëllime të inventarizimit fizik gjatë ditës së kontrollit, për barnat e evidentuara në gjendje është regjistruar
vetëm sasia fizike, ndërsa mungon dokumentimi i datës së skadencës për secilin prej tyre. Mosdokumentimi i datës së skadencës për barnat e inventarizuara përbën një mangësi thelbësore në procesin e kontrollit, pasi bën të pamundur vlerësimin objektiv të disponibilitetit efektiv të barnave në përputhje me kërkesat e nenit 5 të kontratës së lidhur ndërmjet palëve. Si rezultat, bëhet i pazbatueshëm vlerësimi mbi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale lidhur me sigurimin e gjendjeve minimale të kërkuara për alternativat e para dhe të vetme të barnave të përfshira në LBR, duke ndikuar negativisht në transparencën, saktësinë dhe besueshmërinë e analizës së disponibilitetit të barnave si dhe në cilësinë e procesit të kontrollit“, thuhet ne raport.
Që nga shtatori i vitit 2023 deri në shtator 2025, FSDKSH është drejtuar nga Spartak Zekja, i arrestuar nga Prokuroria për skema mashtruese me ilaçet, një përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri, madje ish pronar i depove farmaceutike dhe një kompanie që ka përfituar edhe para publike. Ish kreu FSDKSH Spartak Zekja që duhet të kontrollonte veprimtarinë e depove dhe kompanive farmaceutike është themelues i kompanisë farmaceutike Distributor of Medical Devices Group shpk, kompani e cila ka edhe depo farmaceutike.
Për të evituar konfliktin e interesit gjatë drejtimit të Fondit, Zekja ia ka kaluar aksionet e kompanisë Matteo Shehut. Një burim pranë FSDKSH tha se kompania e Zekjas është imune ndaj çdo kontolli dhe ka dorë të lirë për dallavere me barnat, ndërsa ish drejtori dyshohet për lidhje korruptive me disa bosë të ilaçeve në Tiranë, sidomos me Nadir Çaushollin.
Në nëntor 2025, Prokuroria e Tiranës arrestoi Spartak Zekjan me disa persona të tjerë. Hetimet zbuluan një skemë mashtrimi me inventarë dhe fatura fiktive për barnat “Foster” dhe “Trimboë”, përmes të cilës përfitoheshin fonde të rimbursimit nga FSDKSH në vlera të mëdha. Në qendër të skemës ishte “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit në bashkëpunim me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” dhe me zyrtarë të Fondit.
Ndryshim korruptiv i kontratave mes Fondit dhe subjekteve farmaceutike
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se draft kontratat mes FSDKSH dhe subjekteve farmaceutike kanë ndryshuar në mënyrë për të shmangur kontrollin e subjekteve nga Fondi. Kufizimi i kontrollit të depove dhe farmacive me anë të kontratave bëhet me qëllim për të lejuar abuzimet dhe hequr përgjegjësinë nga FSDKSH. Ndryshimet janë bërë në kordinim dhe me qëllim realizimin e skemave abuzuese me ilaçet.
Nga auditimi i urdhrave të drejtorit të Përgjithshëm të Fondit, Spartak Zekja, të vendosur në dispozicion të KLSH-së, janë konstatuar se në disa raste mungon plotësia dhe dokumentimi i domosdoshëm për ligjshmërinë e akteve administrative të lëshuara për kontrollin e depove dhe farmacive. “Konkretisht, urdhri nr. 182, datë 09.05.2024, për kryerjen e kontrollit ndaj një subjekti farmaceutik, është miratuar pa përcaktuar emrin e subjektit që do t’i nënshtrohej kontrollit. Mungesa e këtij elementi thelbësor e bën aktin administrativ të paplotë, duke cenuar identifikimin e qartë të palës dhe gjurmueshmërinë e vendimmarrjes, si dhe duke rrezikuar vlefshmërinë juridike të tij“, thuhet në raport.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje të rënda dhe me natyrë penale gjatë kontrollit të depove farmaceotike nga FSDKSH, duke sjellë cënimin e besueshmërinë, paanshmërinë dhe përputhshmërinë e procesit të kryer me kërkesat e përcaktuara në kuadrin kontraktor dhe atë rregullator përkatës.
Në raport thuhet se nga auditimi i veprimtarisë së Sektorit të Kontrollit të Farmacive për vitin 2024, u konstatua se përzgjedhja e subjekteve farmaceutike për kontroll nuk është kryer në përputhje të plotë me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në rregullore, duke mbrojtur farmacitë me rimbursim të lartë dhe me risk. “Konkretisht, në programin vjetor të kontrollit për vitin 2024 nuk janë përfshirë subjekte me luhatje të konsiderueshme të vlerave të rimbursimit, ndonëse këto luhatje përbëjnë kriter formal për përzgjedhje sipas rregullores. Gjithashtu në 4 Drejtori Rajonale të Fondit (Shkodër, Elbasan, Tiranë dhe Durrës) u konstatua raste kur janë kryer kontrolle tematike në 13 subjekte, të cilat nuk ishin të përfshira në programin e miratuar të kontrollit“, thuhet në raportin e KLSH.
Afera me rimbursimin
FSDKSH ka mbuluar rimbursimin e dyshuar fiktiv të barnave fiktiv nga farmacitë. Sipas raportit, nga auditimi i raport kontrolleve të ushtruar në farmacitë nga Drejtoria
e Kontrollit/ Sektorit i Kontrollit të Farmacive u konstatua se grupi i kontrollit nuk ka kryer
verifikimin e parashikuar në pikën 2 të programit të kontrollit, e cila parashikon detyrimin për kryerjen e verifikimeve mbi tregtimin e barnave me rimbursim, sipas firmave farmaceutike prodhuese të përfshira në listën e barnave dhe të shpërndara nga depot farmaceutike që kanë kontratë me FSDKSH.
Mungesa e barnave në farmacitë spitalore
Nga auditimi i vitit 2024 në farmacitë spitalore QSUT, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë, u konstatuan mangësi në procedurën e inventarizimit dhe mungesa konkrete të barnave alternative të vetme dhe të para. Për QSUT-në, inventarizimi i kryer më 20.02.2024 përfshiu vetëm 8% të konsumit, ndërkohë që periudha e kontrollit ishte nga 07.12.2022 deri më 20.02.2024.
Për 26 barna të cilat 14 janë “alternativë e vetme” dhe 12 “alternativë e parë”, nuk ka pasur disponueshmëri as në fillim të inventarit më 07.12.2022 dhe as në fund më 20.02.2024, pa u pasqyruar kjo si problematikë në strukturat drejtuese të FSDKSH-së.
Në farmacitë spitalore u konstatuan diferenca sasiore konkrete: 400 njësi në Durrës, 185 njësi në Shkodër, 1,015 njësi në Elbasan dhe 517 njësi në Korçë. Gjithashtu, u evidentuan mungesa konkrete të barnave alternative të vetme: 4 barna në Durrës, 11 në Shkodër, 9 në Elbasan dhe 7 në Korçë, pa u identifikuar nga grupet e kontrollit dhe pa u marrë masa administrative ndaj depove importuese me kontratë.
Probleme serioze në sistemin “e-depo” dhe daljet fiktive të barnave
Auditimi mbi funksionimin e sistemit “e-depo” për vitin 2024 evidenton mangësi të rënda në regjistrimin, monitorimin dhe kontrollin e hyrje-daljeve të barnave.
Nga importuesit farmaceutikë janë importuar barna të klasifikuara si “spitalore” në një sasi prej 3,690,084 njësi, me vlerë 3,225,256,356 lekë, nga të cilat 159,760 njësi me vlerë të rimbursueshme 60,485,872 lekë janë shpërndarë në rrjetin e hapur, në kundërshtim me kontratat trepalëshe dhe përcaktimet ligjore.
Në 207 transaksione të regjistruara në sistem, në 37 fatura shitjeje u konstatuan 102,778 njësi barnash me datë skadence identike me datën e shitjes, ndërsa në 170 fatura të tjera u konstatuan 143,598 njësi barnash me afat skadence nga 1 deri në 5 ditë nga data e shitjes.
Kjo situatë ka krijuar rrezik të lartë për sigurinë e pacientëve dhe për cilësinë e trajtimit farmakologjik.
Diferenca të pajustifikuara financiare dhe rimbursime pa të drejtë
Nga auditimi i lidhjes së kontratave të reja për vitin 2024 u konstatua se për subjektin “P. P.” janë regjistruar si “çelje inventari fillestar” 8,913,213 njësi me vlerë 217,781,840 lekë, ndërkohë që nga inventari fizik rezulton një diferencë e pajustifikuar prej 8,871,835 njësi me vlerë 216,948,302 lekë.
Gjithashtu, u evidentua se disa farmaci kanë përfituar rimbursim të plotë nga FSDKSH për barna të marrë pa kosto blerjeje, përmes faturave me vlerë zero, duke përfituar marzh tregtar deri në 24% për tregtim në pakicë dhe 8% për tregtim në shumicë, sipas VKM nr. 489 dhe VKM nr. 491.
Kjo ka sjellë përfitim financiar të pajustifikuar dhe ka cenuar objektivin themelor të skemës së rimbursimit.
Mungesa e penaliteteve dhe dobësitë në kontrollin e brendshëm
Pavarësisht se janë konstatuar 7 raste të mungesës së barnave alternative të vetme dhe 16 raste të mungesës së barnave alternative të para, nuk janë aplikuar penalitetet e parashikuara në kontrata, të cilat parashikojnë penalitete deri në 7,000,000 lekë për mungesat e alternativave të vetme dhe 8,000,000 lekë për mungesat e alternativës së parë.
Për raste të përsëritura, kontratat parashikojnë masa ndëshkuese deri në prishjen e kontratës, të cilat nuk janë zbatuar.
Auditimi konstaton se mungesa e këtyre veprimeve ka reflektuar mosfunksionim të mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe mbikëqyrjes, si dhe mungesë të angazhimit institucional për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna.

