HomeSport

Mbrëmje evropiane për Egnatian dhe Dinamon, sot kërkohet mrekullia në Conference League

Mbrëmje evropiane për Egnatian dhe Dinamon, sot kërkohet mrekullia në Conference League

Egnatia dhe Dinamo kanë një mision jo të pamundur sot në Evropë. Në turin e tretë të Conference League, për sfidat e para, Egnatia luan në transfertë kundër Olimpija Ljubljana, ndërsa në Split, Dinamo përballet me Hajdukun.

Në orën 20:00 në Slloveni, kampionët e Shqipërisë, Egnatia ka një detyrë jo të lehtë kundër kampionëve vendas. Edhe pse Olimpija ndërroi trajner vetëm disa ditë më parë, organika e rivalëve është për t’u respektuar. Pasi eliminuan Dinamon e Minskut një tur më parë, Egnatia do kërkojë të bëjë surprizën dhe të kërkojë historinë për të shkuar në play-off e këtij kompeticioni.

Në orën 21:00 në Kroaci, Hajduku i Splitit pret Dinamon. Djemtë e Ilir Dajës kanë përballë një rival historik dhe në letër kroatët janë më shumë se të favorizuar. Futbolli luhet në fushë dhe Dinamo do kërkojë të bëjë pjesën e saj, paçka se pa Itodo Mandelën të shitur te Metalist në Ukrainë.

Në fushë zbresin edhe dy klubet nga Kosova. Në orën 20:30 Ballkani pret në “Fadil Vokrri” irlandezët e Shamrock Rovers (Conference League). Ndërkohë në turin e tretë të Europa League, Drita e Gjilanit luan kundër Steauas në Bukuresht, po në orën 20:30.