HomeAktualitetDebat

Meloni vlerëson marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

Meloni vlerëson marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se Italia ka punuar për zgjidhje inovative në menaxhimin e migracionit, duke veçuar si model bashkëpunimin me Shqipërinë për përpunimin e kërkesave për azil dhe procedurat e riatdhesimit jashtë Bashkimit Europian, por nën juridiksion europian.

Meloni përshëndeti pjesëmarrjen e ministres së Brendshme të Shqipërisë, Albana Koçiu, në Bruksel, ku po zhvillohen diskutime për zbatimin e këtij modeli.

Sipas Melonit, ky protokoll ka hapur rrugën për marrëveshje të ngjashme në nivel të BE-së. Këtë e dëshmon edhe marrëveshja e arritur së fundmi nga ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare për futjen e konceptit të “vendeve të treta të sigurta”

“Italia ka punuar gjithashtu për të propozuar zgjidhje inovative, të cilat tani shihen me interes të shtuar dhe gradualisht po bëhen praktikë e zakonshme. I referohem para së gjithash Protokollit të bashkëpunimit që nënshkruam me Shqipërinë. Dëshiroj të përshëndes dhe të falënderoj Ministren e Punëve të Brendshme Koçiu, e cila është në Bruksel sot, me qëllim që të përpunojmë kërkesat për azil dhe procedurat e riatdhesimit jashtë BE-së, por nën juridiksionin evropian.”- u shpreh Meloni.

Ndër të tjera shefja e ekzekutivit italian tha se Ky model ka hapur rrugën për marrëveshje të ngjashme në nivel evropian. Kjo dëshmohet nga marrëveshja e arritur para disa ditësh nga Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së për futjen e konceptit të vendeve të treta të sigurta dhe listës evropiane të vendeve të sigurta të origjinës, si dhe për Rregulloren e re të Riatdhesimit, e cila parashikon mundësinë e krijimit të “Qendrave të Riatdhesimit” në vende të treta.

Ndërkohë, ministrja Albana Koçiu në Konferencën Globale të Aleancës Kundër Kontrabandës së Migrantëve bashkëkryesoi seksionin mbi alternativat ndaj migracionit të paligjshëm.

Në këtë konferencë u dërguan mesazhe nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Komisioneri Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të migrantëve.