HomeAktualitetDebat

Mesazhi i fortë i DASH: Lufta ndaj korrupsionit pikë kyçe për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së

Mesazhi i fortë i DASH: Lufta ndaj korrupsionit pikë kyçe për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë një tjetër mesazh mbështetës në instalimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Në faqen zyrtare, DASH ka përditësuar të dhënat sa i takon mbështetjes për Shqipërinë, ku jepen detaje mbi asistencën në drejtësi, ekonomi dhe fusha të tjera të rëndësishme.

Amerikanët e shohin si kyçe për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, luftën ndaj korrupsionit. Sipas DASH, Uashingtoni po mbështet Shqipërinë në këtë aspekt, ndërsa shumë shpejt do ngrihet dhe Akademia e Transparencës.

“Ndihma e qeverisë amerikane synon të ndihmojë Shqipërinë të forcojë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit; promovon një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe me bazë të gjerë; si dhe integrimin e vendit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të adresojnë një sfidë të rëndësishme zhvillimore – luftimin e korrupsionit – që është kritike për suksesin e vendit në përmirësimin e transparencës dhe qeverisjes në rrugën e tij të integrimit në BE.

Për të çuar përpara këtë objektiv, Shtetet e Bashkuara së shpejti do të fillojnë një projekt të ri shumë-vjeçar të quajtur Akademia e Transparencës SHBA-Shqipëri.

Akademia do të përqendrohet në katër shtylla programore: Përgjegjësia dhe Mbikëqyrja në Menaxhimin e Financave Publike; Transparenca dhe etika në sektorin privat; Angazhimi i të Rinjve në Promovimin e Kulturës së Transparencës; dhe drejtësi për të gjithë”, shprehet DASH.

Pra amerikanët e kanë bërë dhe njëherë të qatë se reformë në drejtësi është shumë e rëndësishme për ta. Në janar roli amerikan pritet të rritet, pasi hetuesit e Byrosë së Hetimit do të udhëtojnë drejt Virxhinias ku do të trajnohen nga FBI.

Elementi tjetër është se DASH është në një linjë me ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila çdo ditë e ka bërë të qartë se për SHBA lufta ndaj të korruptuarve është prioritet.

Ambasadroja Kim tjetër mesazh:

Ambasadorja amerikane tre ditët e fundit ka dhënë mesazhe të forta sa i takon luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Dje ambasadorja Yuri Kim është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazhelin.

Kim përmes një postimi në Twitter shkruan se në këtë takim kanë diskutuar me Gazhelin mbi lehtësimin e biznesit të ligjshëm, sigurimin e sigurisë dhe kontrollit në lëvizjen e mallrave, si dhe për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

“Unë u takova me Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazhelin, për të diskutuar rëndësinë e lehtësimit të biznesit të ligjshëm, sigurimin e sigurisë dhe kontrollit në lëvizjen e mallrave, si dhe sigurimin e përgjegjësisë.

Ne ramë dakord për të rritur bashkëpunimin për të ndaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, shkruan ambasadorja amerikane.

Ndërkohë të martën ajo pati një takim me kryetaren e KED, Vitore Tusha ku dhe aty ambasadorja lëshoi mesazhe të forta. Ajo kërkoi që Kushtetuesja të jetë gati brenda vitit.

“Luigi Soreca dhe unë u takuam sot me Kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Tusha, për të rikonfirmuar afatin kohor për emërimin e kandidatëve të kualifikuar në Gjykatën Kushtetuese.

Takimi i nesërm i KED – i cili, si zakonisht, përfshin vëzhgues nga Parlamenti & Presidenca – duhet ta çojë procesin përpara, në mënyrë që Shqipëria të ketë një GJK funksionale deri më 31 dhjetor”, tha ajo.