Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar në Kuvend propozimin për kreun e KLSH-së. Njoftimi u bë këtë të Enjte gjatë seancës parlamentare.
Presidenti i Republikës ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që Dr. Arben Shehu të zgjidhet në pozicionin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në një letër drejtuar Kuvendit më herët, Meta i ka kërkuar ligjvënësve që ta shqyrtojë këtë kandidaturë me objektivitet dhe përgjegjshmëri. Meta shprehet se Dr. Arben Shehu është kandidat shumë i përshtatshëm, me përvojë, profesionalizëm dhe me dinjitet.
“Dr. Arben Shehu është diplomuar jurist dhe është një ndër njohësit më të mirë të së drejtës penale. Dr. Shehu është gjithashtu i diplomuar edhe në fushën e administrimit të biznesit, me një përvojë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore. Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe me përgjegjshmëri”, shkruan ndër të tjera në letër kreu i shtetit.
Propozimi i Presidentit vjen pas rrëzimit të tre kandidaturave të para dhe thirrjes së Kuvendit për emrin e radhës.

