TALI, Cortina d’Ampezzo – Lara Colturi ishte shumë pranë për t’i sjellë medaljen e parë olimpike Shqipërinë në një Olimpiadë Dimërore, por e mbylli garimin në vendin e 16-të me kohën 2 minuta 14 sekonda e 82 të qindtat. Paçka një gare shumë të mirë, me disa gabime në sektorin e tretë, 19-vjeçarja italo-shqiptare mbeti 1.32 sekonda pas vendit të parë i cili u siguruar nga Federica Brigonone (2:13.50), e cila i dha të artën e dytë personale Italisë në këto Lojëra. Semire Dauti, sportistja tjetër e Shqipërisë u rendit e 44-ta. Kjo ishte gara e parë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore që Shqipëria u përfaqësua me dy sportiste.
Diferenca mes skiatoreve Alpine në disiplinën e Slalomit Gjigant ishte shumë e ngushtë në ‘Milano Cortina’, aq sa Sara Hector e Suedisë dhe Louise Stjernesund e Norvegjisë e mbyllën me kohë identike (2:14.12), vetëm 0.62 sekonda pas vendit të parë. Hector dhe Stjernesund ndajnë medaljen e argjendtë duke bërë që Lara Della Mea e Italisë të spostohet e katërta dhe mos marrë medalje.
Gara e Lara Colturit
Colturi (1 minutë 03 sekonda e 97 të qindtat) e mbylli lëshimin e parë në vendin e katërt me 0.74 sekonda pas kryesueses Federica Brignone, por në lëshmin e dytë u rendit e 25-ta me kohën 1:10.85. Në total me kohën 2:14.82 Colturi mbeti në vendin e 16-të, teksa do jetë sërish në pistë më 18 shkurt në disiplinën e Slalomit, një garë e preferuar për të.
Semire Dauti përfundon në vendin e 44-t
Debutuese me fanellën e Shqipërisë, skiatorja 18-vjeçare Semire Dauti bëri shumë mirë në garën e saj të parë në një Olimpiadë. Dauti në fund u rendit në vendin e 44-t nga 76 skiatore. Dauti e mbylli lëshimin e parë në pozitën e 51-të me kohën 1 minutë 03 sekonda e 97 të qindtat, ndërsa lëshimin e dytë në vendin e 44-t, që në total e la po në këtë pozitë me kohën 2:28.12, 14.62 sekonda pas vendit të parë.
Denni Xhepa
Dje skiatori i Shqipërisë, Denni Xhepa u rendit në vendin e 34-t në Slalomin Gjigant, teksa edhe në disiplinën e Super-G kishte zënë të njëjtin pozicion.
Garat e ardhshme të Shqipërisë
Nesër, më 16 shkurt Denni Xhepa do garojë për herë të tretë në këto Lojëra, këtë herë në disiplinën e Slalomit. Shqipëria do e mbyllë konkurrimin dhe ëndrrën për një medalje olimpike dimërore më 18 shkurt, kur Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do konkurrojnë në disiplinën e Slalomit.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në ‘Milano Cortina 2026’.

