Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov ka publikuar sot një artikull në gazetën serbe “Politika” me rastin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit që rregulloi konfliktin në Bosnje-Hercegovinë. 100 000 të vrarë dhe 2 milionë të shpërngulur, konflikti boshnjak ilustron potencialin e jashtëzakonshëm të kombeve të armatosura dhe që nisin të veprojnë jashtë suazës së ligjit ndërkombëtar.
Gjendja edhe sot është e brishtë; një seri organizmash ndërkombëtarë mbikëqyrin sigurinë e shtetit boshnjak, ndërkohë që një zhvillim thelbësor ka ndodhur me nxjerrjen nga skena të Milorad Dodik, president i Republikës Srpska. Si qëndron marrëveshja me atë që pasoi? Lavrov merr në shqyrtim një cilësi minimale të saj:
“Marrëveshja e Dejtonit nuk ishte një kurë për çdo problem apo dallim që përshkonte shoqërinë boshnjake…Atë mund ta kreditojmë kryesisht me faktin se ndali gjakderdhjen dhe bëri të mundur jetën paqësore”.
Sipas Lavrov, Marrëveshja hodhi bazat e shtetësisë boshnjake duke mishëruar barazinë e tre entiteteve përbërës të federatës, por ajo u minua nga vendet perëndimore, të udhëhequr nga interesa të njëanshme, duke sjellë situatën e sotme që e mban Bosnjen në gjendje permanente pasigurie dhe të provokueshme.
“Zyra e Përfaqësuesit të Lartë është mes burimeve kryesore të paqëndrueshmërisë në Bosnje dhe Hercegovinë. I caktuar fillimisht si një mekanizëm ndërkombëtar ndihmës për mbikëqyrjen e aspekteve civile të rregullit, erdhi gradualisht duke u bërë një kukull në duart e fuqive perëndimore për ndërhyrjen e tyre në punët e brendshme të Bosnjes”, shkruan Lavrov që ka kërkuar mbylljen e menjëhershme të Zyrës në fjalë.
Lavrov shtyhet më tej duke e vënë situatën e paqëndrueshme në Bosnje në paralele me Kosovën, ku njësoj sipas tij, anashkalohet dhe shkelet një Rezolutë e OKB-së:
“Ata ndërmarrin nisma ushtarake në të cilat merr pjesë Prishtina me të njëjtin status me shtetet sovrane, duke krijuar dinamika të rrezikshme në kapacitetet ushtarake dhe duke ndryshuar balancën e fuqisë në Ballkan. Kjo po ashtu përbën shkelje direkte të Marrëveshjes së Dejtonit, kryesisht rregullimeve në Aneksin 1-A “Mbi Aspektet Ushtarake të Rregullimit të Paqes” dhe Aneksin 1-B “Mbi Stabilizimin Rajonal”.
Fjala është për aleancën ushtarake mes Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë që duket se përfaqëson krahas shkeljes së Rezolutës 1244 për Kosovën, një shkelje të re të ligjit ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Lavrov ka afirmuar mbështetjen e Rusisë për Marrëveshjen duke theksuar se:
“Çdo ndryshim mund të bëhet vetëm në bazë të vendimeve konsensuale të adoptuar në mënyrë të pavarur nga të gjitha popullsitë e Bosnjes përmes dialogut të ndërsjellë”.

