Pas lajmeve që shpërthyen në internet për ndarjen nga jeta të aktorit legjendar Chuck Norris, familja e tij ka dalë publikisht për të sqaruar informacionin e rremë që qarkullon, përfshirë video dhe postime të krijuara me inteligjencën artificiale.
Në një postim të bërë nga të afërmit e aktorit në profilin e tij zyrtar në Instagram, familja theksoi se çdo pretendim mbi shkaqet e vdekjes së tij, gjendjen shëndetësore para vdekjes ose marrëdhëniet familjare është krejtësisht i pavërtetë. Ata bënë thirrje që njerëzit të mos e përhapin këtë informacion, duke mbështetur vetëm burimet zyrtare.
“Jemi të vetëdijshëm se që nga vdekja e Chuck Norris, në internet kanë qarkulluar video dhe postime të shumta që janë krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale dhe përmbajnë informacione të rreme dhe mashtruese në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij, historinë e tij mjekësore dhe se kush ishte i pranishëm… Ju kërkojmë të mos besoni ose ndani asnjë informacion përveç nëse vjen direkt nga familja Norris ose një zëdhënës zyrtar,” shkruhet në deklaratën e tyre.
Një shembull tipik i këtyre lajmeve të rreme ishte një foto e krijuar me inteligjencë artificiale që tregon funeralin e rremë të Norris, ku shfaqeshin Arnold Schwarzenegger, Jackie Chan dhe aktorë të tjerë rreth arkivolit të tij të mbuluar me flamurin amerikan.
Chuck Norris ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare, lajmin e konfirmoi familja e tij më 20 mars në Instagram, një ditë pas shtrimit të tij urgjent në një spital në Hawaii.

