Gazetari Mustafa Nano ka reaguar me tone kritike ndaj kreut të bektashinjve, Edmond Brahimaj, pas një deklarate të bërë në një intervistë për Ilnisa Agolli.
Në intervistë, Baba Mondi i atribuon profetit Muhamed frazën: “Feja është mendja; kush s’ka mend, s’ka fe”, pa saktësuar burimin e saj. Pikërisht kjo ka ngjallur reagimin e fortë të Nanos.
“Unë nuk do çuditesha po ta kishte thënë, por problemi është që nuk del ta ketë thënë. Të paktën, sipas hulumtimeve të mia”, shprehet Nano, duke shtuar se nëse dikush – përfshirë edhe vetë Edmond Brahimajn – këmbëngul se citimi ekziston, duhet të japë referenca të sakta bibliografike.
“Në një intervistë dhënë Ilnisa Agollit, kreu i bektashinjve i vë në gojë Muhametit frazën: “Feja është mendja; kush s’ka mend, s’ka fe.”
Nuk e bën të qartë se ku gjendet kjo frazë. Nuk do çuditesha po ta kishte thënë, xhanëm, por puna është që nuk del ta ketë thënë. Të paktën, sipas hulumtimeve të mija.
Nëse ndokush (qoftë edhe Edmondi vetë) i mbahet mendimit se fraza ekziston, është i lutur të më japë ndonjë të dhënë bibliografike (librin, kapitullin, faqen).
Unë besoj që fraza në fjalë është marrë në formë të perifrazuar nga literatura islame, dhe Edmondi thjesht e ka me të dëgjuar”, shkruan Mustafa Nano.

